Çuçi në Tepelenë: LSI do të ndëshkohet me votë

Në takim me banorët e fshatrave të Lekdushit dhe Progonatit në Tepelenë Bledi Çuçi premtoi investime për rrugët ende të pa përfunduara. Ai përgënjeshtroi akuzat e kandidatit për deputet Vangjel Tavo se PS po tenton të blejë vota në Gjirokastër duke thënë se LSI në këtë qark do të ndëshkohet nga zgjedhësit.

Fshatrat Lekdush dhe Progonat të Tepelenës ishin ndalesa e radhës e drejtuesit politik të Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastër.

Në takim me banorët e këtyre zonave Çuçi risolli në vëmendje projektet që kanë transformuar Tepelenën.

"Sot jemi më kokën lart, ju shohim në sy sepse e kemi transformuar gjithë realitetin e Tepelenës".

Bledi Çuçi iu përgjigj edhe akuzave të kandidatit për deputet Vangjel Tavo për blerjen e votave, duke u shprehur se LSI në qarkun e Gjirokastrës do të ndëshkohet me votë.

"Ishte vesh partizani si partizan që ne ta marrim për ballist, kështu dilte dhe Vangjeli.Thoshte ka shkuar njëri që i ka thënë që kam ardhur nga Vangjeli të të jap lekë por voto ti PS. Ka humbur ekuilibrin mendor, është bërë njësoj si kryetari i vet."

Ai premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm do të ndërtohet rruga nga Kolonja deri në Progonat për të përmbyllur  në këtë mënyrë gjithë rrjetin infrastrukturor të Labërisë.