Humbja e gjyqit me Becchettin, Meta denoncon skandalin: Avokatura e Shtetit gënjeu Presidentin, të hetojë SPAK

Humbja e gjyqit nga Shqipëria me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti nuk e ka habitur aspak Kreun e Shtetit.

Presidenti, Ilir Meta, në një postim në facebook thotë se e ka paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.

Por tanimë kur jemi para faktit të kryer, Meta thekson se vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali, shton më tej Meta, merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, Kreu i Shtetit i bën  thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Meta: Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.

Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.

Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”.

Autoritetet shqiptare reaguan duke kërkuar anullimin e vendimit të marrë. Kërkesa e palës shqiptare, u bazua te shkelja e procedurave gjatë procesit të arbitrazhit, por Komisioni Ad Hoc i ngritur për shqyrtimin e rastit, nuk e ka gjetur të drejtë pretendimin e palës shqiptare, e cila do të duhet tanimë të paguajë dëmshpërblimin prej 110 milion eurosh.

Ky dënim përfaqëson dhe vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.