Arsenali i armëve në pronësi të rrjetit kriminal që vepron te "21 Dhjetori", Krujë e Kamëz, në kërkim nipi i Nehat Kullës
Policia shkatërron rrjetet kriminale të Tiranës te cilat dispnonin depo armësh e minucionesh e që kanë kryer një seri krimesh më herët në bashkëpunim me banda të tjera. Nga hetimi 18 bazave të tilla, 5 u arrestuan dhe dy janë në kërkim.
18 baza kriminale janë zbuluar në Tiranë. Pesë persona përfunduan në pranga dhe dy të tjerë janë në kërkim.
Bëhet fjalë për një rrjet të sofistikuar, shkatërrimi i të cilit ka zbardhur ngjarje kriminale të kryera më parë me armë e eksploziv.
Vetë drejtori i policisë së Tiranës konfirmoi lajmin në një konferencë të posaçme shtypi ndërsa policia bëri publik materialin filmik të depove me arsenalin e armëve snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, dhe aksesorë të tjerë luftarakë, përfshi dhe 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.
Operacioni kompleks u finalizua mëngjesin e së enjtes, 1 prill, pas një hetimi të kryer nga krimet e rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, policia e shtetit, SPAK dhe Prokuroria e Rrethit.
Janë arrestuar
-Paris Prenga
-Bledar Deda
-Flor Abazi
-Bujar Jaupi
-Arben Sufa
Janë në kërkim
-Akil Kulla
-Sokol Gjura
Ndalimi i tyre u bë për arsye se këta persona, së bashku dhe me dy të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 18 tetor 2019, në Tiranë, ku është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar shtetasi Artion Bylyku.
Ky është kunati i Domart Konjarit, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit, porosinë e së cilës e ka bërë Gjergj Cukali.
Enver Jamaku, mësohet të jetë personi i penduar që ka nxjerrë emrin e Gjergj Cukalit dhe të Ermond Jamakut, në vendosjen e tritolit tek Gjon Mena.
Gjatë operacionit në kontrollin e banesës së shtetasit Akil Kulla, i cili është shpallur në kërkim, Policia ka gjetur një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak.
Akil Kulla, është djali i vëllait të Nehat Kullës. Grupi dyshohet se ka vendosur tritol te Artion Bylyku.
Armët, grupi i mbante për llogari të një rrjeti kriminal që vepron nga zona e "21 dhjetorit" dhe në Krujë e Kamëz.
Shtetasi tjetër i shpallur në kërkim Sokol Gjura dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, janë autorë të sulmit me armë ndaj shtetasit Paulin Papleka, ngjarje e ndodhur më datë 10 shtator 2017, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë.
E njëjta bandë dyshohet për vendosjen e eksplozivit, si dhe heroinë në banesën e shtetasit Edmond Saraçi, ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017, në Tiranë.