Varsësit e Taulant Manaj e fshehën armën, kallashi që gjeti policia nuk ka qëlluar asnjë plumb
Hetimi për vrasjen e Taulant Manaj në 3 mars 2021 në Vlorë, ka nxjerrë në dritë se viktima nuk është qëlluar nga arma kallashnikov që mundi të sekuestrojë policia e Vlorës, në automjetin tip “Ford Fiesta”.
Ky konstatim është arritur të provohet falë ekspertimit balistik, mes 5 gëzhojave automatike të gjendura në vendin e krimit dhe armës së sekuestruar.
Ekspertët u kanë pohuar hetuesve se arma e sekuestruar nuk është përdorur fare në vendgjarjen e 3 marsit në rrugën Transballkanike, pasi nga ajo nuk rezulton të jenë qëlluar plumba.
Arma automatike më të cilën është ekzekutuar Taulant Manaj, është marë nga autori i krimit, Elton Hajnaj dhe nuk dihet se ku është fshehur prej tij.
Hajnaj së bashku me personin tjetër Skedjan Grabani janë larguar dhe policia ende nuk ka mundur të bëjë lokalizimin e tyre.
Ndërkohë në kërkim për këtë ngjarje rezulton të jenë dhe Sali Zenelaj, nga një fshat i Vlorës dhe Klemend Dautaj, të dy miq të viktimës Taulant Manaj.
Sipas burimeve të policisë së Vlorës, Sali Zenelaj është njeriu që ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, në drejtim të “Ford Fiestës”, ku ndodheshin në ikje e sipër tre personat Elton Hajnaj, Skedjan Grabani dhe Hansi Jonuzaj.
Në përplasjen me armë të datës 3 mars 2021 në rrugën “Transballkanike” në Vlorë, rezultoi se të dyja palët ishin të pajisura me armë zjarri, dhe dukshëm ishin përgatitur, për një sulm të tillë që përfundoi me një viktimë.
Atentati ku mbeti i vrarë Taulant Manaj në Vlorë dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti për rreth 20 mijë euro.
Viktima që njihej edhe me mbiemrin Beqiri dyshohet se kishte detyrim financiar, ndaj palës tjetër lidhur me shitjen e një automjeti tip “Benz-Mercedez”, për të cilin refuzonte të dorëzonte pagesën.
Në pamjet filmike që ka sekuestruar policia, rezulton se pas të shtënave me automatik, të dyja palët janë larguar me shpejtësi me qëllim për të mos u kapur nga policia.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes viktimës Taulant Manaj, ju sekuestrua në brez një armë zjarri pistoletë të cilën nuk mundi ta përdorë dhe 4 aparate telefonike, që tashmë janë dërguar për ekspertim.