Zyrtare/8 punonjës të ALUIZNI-t të pandehur për tjetërsimin e pronës në bregdetin e Gjilekës, nën akuzë biznesmeni Gjikoka
Tetë zyrtarë të ALUIZNI-t dhe Helidon Gjikoka një sipërmarës nga qyteti i Vlorës, zyrtarisht janë marrë të pandehur nga prokuroria e Tiranës, pasi rezultojnë të jenë përfshirë në skemën e tjetërsimit të një pasurie prej 1430 m2 tokë në bregdetin e fshatit Gjilekë.
Mbi këtë pasuri është ndërtuar një kompleks turistik prej 12 objektesh, i quajtur “Ambel Beach” që administrohet nga Gjikoka dhe sipas hetimeve dyshohet se i është tjetërsuar kallëzuesit Ilir Koka.
Ora News siguron të plotë dosjen e prokurorisë, e cila ka filluar të njoftojë akuzat për zyrtarët e ALUIZNI-t dhe ASHK-së Vlorë e Tiranë.
Në këtë dokument tregohen të gjitha shkeljet e kryera nga zyrtarët si dhe veprimet arbitrare të kryera nga sipërmarësi Helidon Gjikoka, i cili ka mundur ti tjetërsojë pasurinë kushëririt të tij, Ilir Koka, duke përdorur vetëm një kontratë qëraje të falsifikuar.
Sipas dosjes hetimore që Ora News e disponon i pandehur është marrë Ardian Musta, ish-drejtori i ALUIZNI-t në Vlorë.
Më tej lista e personave të pandehur vijon me biznesmenin që administron kompleksin turistik “Ambel Beach” Helidon Gjikoka, avokatin Ariton Kasaj dhe zyrtarë të tjerë.
Mes emrave të pandehur që akuzohen për “Shpërdorim detyre” janë dhe Enida Bukuroshi dhe Jonida Hallvaxhiu, punonjëse të drejtorisë qëndrore në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës.
Sipas hetimit të kryer Gjikoka dhe avokati Kasaj, kanë firmosur në datën 27 shtator 2018 një kontratë noteriale, ku Kasaj ka nënshtruar në emër të pronarit të hotelit dhe tokës, Ilir Koka.
Kjo kontratë sipas prokurorisë, humb fuqinë në 31 gusht 2021 dhe se Helidon Gjikoka, duhet të lerë objektin.
Por hetimi i kryer nga ana e prokurorisë së Tiranës, ka zbuluar se Helidon Gjikoka, 7 ditë para firmosjes së kontratës së falsifikuar me avokatin Kasaj, në 20 shtator 2018 çuditërisht është pajisur me certifikatë legalizimi.
Ndërsa në 28 janar 2019, Gjikoka, thotë prokuroria e Tiranës, është pajisur me vërtetim hipotekor nga ASHK-ja Vlorë.
Në dokument thuhet se "…pas verifikimit të kryer në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, ka rezultuar se në rrethana ende të paqarta, e gjithë pasuria që më parë ishte në pronësi të kallëzuesit Ilir Koka, në bazë të lejes së ndërtimit,rezulton në emër të palës së kallëzuesit Helidon Gjikoka…".
Ndaj Gjikokës dhe avokatit Ariton Kasaj, prokuroria e Tiranës ka ngritur akzuën e “Mashtrimit me pasoja të rënda” në bashkëpunim dhe “Falsifikim i dokumentave”.
Ndërsa për zyrtarët e tjerë të ALUIZNI Vlorë dhe ASHK Tiranë, janë ngritur akuza e “Falsifikimit të dokumentave” kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”.