Asfaltimi i rrugës ndërpritet në mes, gropa, baltë dhe mbeturina pas godinës së re të drejtësisë
Me gropa dhe pa asnjë shenjë asfalti, nuk bëhet fjalë për ndonjë rrugë fshati, por për rrugën "Benjamin Kruta" në kryeqytet, e cila prej vitesh nuk ka parë asnjë investim.
Rrugë jo vetëm me gropa, por pa asnjë shenjë asfalti jemi mësuar shpesh të shohim nëpër fshatra, por kjo është gjendja e një rruge në kryeqytet.
Bëhet fjalë për rrugën "Benjamin Kruta" prapa godinës së re të drejtësisë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit.
Prej më shumë se 5 vitesh, në këtë pjesë të rrugës nuk është bërë asnjë investim.
Aksi kryesor në pjesën e përparme të polit të drejtësisë është e shtruar që prej inaugurimit të institucionit, ndërkohë prapa saj ka veç gropa, pluhur, mbeturina madje dhe pula që çukisin për ushqim.
"Po bëj 5 vjet që banoj dhe nuk është rregulluar asnjëherë.Është si rrugë primitive."
Banorët thonë se në këtë lagje është e vështirë kalimi me makinë ndërsa në kohë me shi është thuajse e padepërtueshme.
"Nuk kalohet fare në kohë me shi dhe me këmbë, me makinë jo e jo."
Edhe pse në këtë zonë ka pak banesa, ato janë lënë mënjanë nga Bashkia e Tiranës.