Mesazhi i fortë i SHBA-së: Nuk tolerojmë dhunën. Votoni parti të cilat ofrojnë të ardhme më të mirë për Shqipërinë
Pasi Ambasada e SHBA në Tiranë ka ndjekur me vëmendjen çeljen e fushatës elektorale dhe ka skanuar edhe njëherë listat e kandidatëve, sërish selia diplimatike kërkon reflektim nga kryetarët e partive për të filtruar ekipin e tyre.
Me anë të një reagimi zyrtar, SHBA nënvizon mes rreshtave se integriteti i kandidatëve duhet të jetë edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, por pa përmendur emra të përveçëm.
Presim nga udhëheqësit që të shfaqin udhëheqësi, përfshirë edhe duke u siguruar që partitë dhe kandidatët e tyre sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare, duke refuzuar qartë dhunën dhe duke treguar se ata me të vërtetë do të ishin të denjë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Shqipërinë.
Aleatja dhe mikja e Shqipërisë paralajmëron masa si kundërpërgjigje ndaj atyre që do të tentojnë të minojnë këto zgjedhje.
Në këtë drejtim, është tërësisht e kuptueshme se ata që aktualisht janë në poste drejtuese kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interesat e vendit. Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo ndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij.
Thirrja e SHBA-së shkon edhe ndaj votuesve shqiptarë, të cilët i vendos përpara përgjegjësisë së zgjedhjes.
Nxisim votuesit t’i mbajnë partitë dhe kandidatët përgjegjës, të marrin në shqyrtim zgjedhjet që kanë dhe të votojnë për ato parti dhe kandidatë të cilët ofrojnë të ardhmen më të mirë për Shqipërinë – një e ardhme në partneritet me Shtetet e Bashkuara, që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane si një demokraci e fortë dhe e begatë.
Për një process të paqtë zgjedhor dhe kërkimit të llogarisë ndaj kandidatëve, SHBA kërkon edhe ndihmën e emdias dhe shoqërisë civile.