Fatmir Mediu takim elektoral në Kamëz: Të shmangim manipulimet

Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me qytetarët në Kamëz, të cilëve u bëri thirrje për votim në mënyre masive dhe ruatje të votës nga skemat e manipulimit qeveritar.

Varfëria dhe emigrimi mbeten shqetësim kryesor për  shqiptarët.

Fatmir Mediu, kryetar i republikanëve, në një takim me qytetarët në Kamëz teksa diskutoi mbi nevojën e ndryshimit tha se 8 vitet e qeverisjes Rama vetëm nxitën ikjen e të rinjve.

Mediu: Jetojmë në një kohë absurdi të një kryeministri i cili shan, fyen përbuz shqiptarët. Një kryeministri i cili nuk ndalet as një ditë duke mallkuar e duke sharë shqiptarët duke i quajtur të paaftë dhe përtacë që nuk duan të punojnë.

Shqiptarët nuk kanë më barazi para ligjit dhe as shansin për të ndërtuar të ardhmen dhe ekonominë e tyre familjare.

Kemi nga njëra anë një qeverisje e cila ka shkatërruar interesin tonë kombëtare dhe nga ana tjetër të gjithë shqiptarët ë interesi kombëtar e kanë primar.

Kemi në njërën anë një qeveri e cila ka shkatërruar ekonominë tonë kombëtare dhe nga ana tjetër besimin që mund të ndërtojmë të ardhmen tonë.

Mediu u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht ne votime dhe të ruajnë votën.

Mediu: 25 prilli është një ditë e rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Është dita kur ne si shqiptarë kërkojmë të vendosim dinjitetin tonë, duam familjet tona, duam kombin tonë dhe duhet t’i themi ndal një regjimi i cili po shkatërron çdo mundësi, çdo të ardhme për gjithsecilin nga ne.

Është dita kur ne duhet të tregojmë përgjegjësinë tonë, që marrim në dorë fatin tonë më përgjegjësi dhe dinjitet.

Nuk ka dallim midis banditëve që dalin me maskë në rrugë dhe grabisin dhe një qeverie që me ligje të padrejta fut dorën në xhepin e qytetarit sa herë që i teket.

Atë që ju ka falur Zotin lirinë dhe jetën mos ia lini Edi Ramës, asnjë politikani. Lirinë, jetën dhe mundësinë për të ndërtuar lumturinë dedikojani fëmijëve tuaj, prindërve tuaj, familjes dhe vendit tuaj.

Ditën e djeshme, dy partitë kryesore në vend çelën zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Partia Demokratike e hapi fushatën në sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa ajo Socialiste në sheshin “Skënderbej.”