U kap sot me 1.3 kg kokainë, Akil Buna ishte në kërkim, i shpëtoi operacionit “Shën Mëri 2020”


Akil Buna, njëri nga tre personat e arrestuar ditën e sotme në Tapizë të Krujës, me 1.3 kg kokainë, rezulton të ishte person i shpallur në kërkim nga prokuroria e Kukësit, qysh prej datës 20 maj 2020.

Përgjatë kësaj kohe, Buna ka mundur ti shpëtojë arrrestimit gjatë operacionit policor “Shën Mëri 2020”, ku u ndaluan 22 persona, mes tyre dhe 3 punonjës të policisë së Kukësit dhe Tiranës.

Sipas hetimeve të kryera nga prokurorja e Kukësit Rita Gjati, Akil Buna, bashkëpunonte me persona të tjerë si, Kreshnik Murataj, Beqir Murataj, Arben Tuci, vëllai i bashkiakut të Fushë-Arrëzit Fran Tuci, Sali Kovaçi pronar parcele droge, për të kultivuar lëndën narkotike në zonat periferike të Kukësit, mëson Ora News.

Momentalisht kjo çështje penale me 23 të pandehur ëhstë në proces gjykimi në gjykatën e Kukësit. Megjithë kërkimet e kryera, Akil Buna, është një nga të pandehurit e kësaj dosje penale, që ende nuk ishte kapur nga policia e shtetit. Buna, u arrestua sot në mëngjes gjatë një aksioni policor në zonën e Tapizës, ku në momentin e ndërhyrjes policia sekuestroi 1.3 kg kokainë dhe arrestoi babë e bir, Leonard dhe Latif Lozin, informon Ora News.

Së bashku me ta në makinën tip “Volsvagen”, ishte dhe Akil Buna, person i shpallur në kërkim prej muajit Maj 2020.

Kokaina e sekuestruar nga policia, ishte fshehur në kroskotin e makinës tip “Volsvaagen, i cili drejtohej nga 28-vjeçari Leonard Lozi.

Uniformat blu, pasi inoformacion se tre personat e arrestuar po transportonin sasinë e kokainës, krijuan një postobllok në aksin rrugor Tapizë-Fushë Krujë, ku pas kontrollit iu gjet dhe sasia e kokainës. Akil Buna, rezulton edhe më parë i dënuar për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", ndërsa 28-vjeçari Leonard Lozi për akuzën "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.