Rama "hap fushatën" me Metën, Berishën e Kryemadhin: Basha, kukull në prehrin e 3 xhagajdurëve
Edhe në çeljen zyrtare të fushatës elektorale, kreu i socialistëve Edi Rama nuk ka shumë për të thënë se çfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë në të ardhmen.
Të gjithë energjitë në fjalimin e tij i shpenzoi për të sulmuar kundërshtarët politikë.
Ligjërimin e tij politik nuk mund ta mendojë pa Ilir Metën President dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Krahas tyre rreshton edhe kryetaren e LSI, Kryemadhi.
Ndërsa me atë që ka betejën kryesore politike, Lulzim Bashën, Rama thotë se është një kukull në prehrin e tre xhagajdurëve.
Rama: Mandati i tretë i PS është heqja e çdo mundësie që Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi të kenë një shans tjetër për ta marrë përsëri zvarrë Shqipërinë për hesap të llogarive të tyre, të pushtetit të tyre, të pasurive të tyre dhe të të gjithë privilegjeve të tyre dhe natyrisht kur vjen puna edhe Luli nuk ka si e merr një shans sepse Luli nuk është Luli, Luli është Saliu, është Iliri, është Monika. Luli është një kukull, si ato kukullat që po nuk i tunde flenë dhe kur tunden hapin sytë dhe nxjerrin atë këngën në formë ninulle për të vënë bebet në gjumë. Luli është një kukull e tundur kur ne e shohim, kur zhduket nga ekrani është thjesht një kukull që fle, një kukull në prehrin e 3 xhagajdurëve të cilët janë një arsye shumë e fortë për mandatin e tretë të PS.
Për të tretën herë radhazi, Rama do ta kërkojë votën sërish për drejtësinë.
Rama: Ne i bëjmë të pakytheshme të gjitha reformat që janë ende rrugës. Mandati i tretë i PS bën të pakthyeshme reformën në drejtësi dhe ardhjen në jetën tonë të një drejtësie të re. E kundërta do të thotë humbje dhe kthim përsëri aty ku Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të kthehet më.
