Nga shkurti gjashtë atentate me vrasës me pagesë, eksperti: Kërcënim, rekrutimi i moshave të reja

Ekspertë të kriminalistikës shprehen të shqetësuar për ngjarjet e rënda në Shqipëri. Referuar katër atentateve të dy muajve të fundit, ata shohin një tjetër problem të rëndë, atë të rekrutimit të të rinjve në grupe kriminale dhe si vrasës. Edhe për qytetarët situate e rendit po kthehet në shqetësim.

Vrasjet, atentatet dhe plagosjet janë temat më të diskutura në Shqipëri në këto 2 javët e fundit.

Kriminaliteti është rritur ndjeshëm por zbulueshmëria e tyre ka rënë.

Këtë gjë e pohon edhe ish-drejtuesi i policisë Emri Vata, i cili shprehet për një trend të ri të vrasjeve mafioze me pagesë.

"Në një kohë kaq të shkurtër të kesh një bilanc të tillë të krimeve të rënda dhe kryesisht të vrasjeve me pagesë është një bilanc tragjik. Mosha e re ndikohet shumë më shpejt për një sasi të caktuar parash. Duke qenë i mosangazhuar gjatë gjithë kohës automatikisht bie pre e rekrutimit nga profesionistë të vjetër. Rritja e numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike, kryesisht të forta, te moshat e reja përbën një element shtesë që të rinjtë të bëhen vrasës me pagesë".

Ngjarjet e ndodhura kanë krijuar panik dhe pasiguri dhe tek qytetarët e Tiranës, teksa kritikojnë punën e policisë.

"Siguria këtu lë shumë për të dëshiruar."

"Kriminaliteti duhet luftuar nga organet e shtetit."

"Policia ka dy muaj që nuk merret me këtë sport fare, po merren me politikën më shumë, me fushatën."

Nga fillimi shkurtit kanë ndodhur 4 atentate me  4 viktima dhe në një rast objektivi i ka shpëtuar tritolit që i kishin vendosur në makinë.

Me eksploziv ka shpërthyer dhe mjeti i prokurorit Arjan Muça.

Të zbardhura deri më tani jane ekzekutimi i Shkelzen Kastratit e ndodhur më 1 shkurt në Fier, shpërthimi me tritol që iu bë Gjon Menës me 9 shkurt  në Kamëz si dhe vrasja e 66-vjeçarit Behar Sofia me 25 shkurt.

E pa zbardhur nga ana e  policisë  vijon të jetë ngjarja e  6 shkurtit në Vlorë, ku një breshëri plumbash i mori jetën Gentian Qarrit, i cili sapo kishte dalë nga banesa e tij.

Po ashtu enigmë mbetet edhe sulmi me tritol që iu bë makinës së prokurorit Arjan Muça, dhe ekzekutimi mafioz i Edmond Koçit, ish-anëtarit të bandës së Durrësit i njohur edhe si Mond Çekiçi.

Që prej fillimit të vitit 2021 në Shqipëri janë regjistuar 13 vrasje, shumica mafioze ku duket se grupet  kriminale përdornin metodat më të sofistikuara në tentativën për të mbajtur autoritetet shqiptare larg zbardhjes të vërtetës.

https://youtu.be/ebTYuoGWH9I