Arrestohet 25-vjecari që u plagos dje në Durrës, ende në kërkim autori
25-vjeçari Arbër Tivari, që mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në Durrës, ka përfunduar në prangat e Policisë në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
I riu u arrestua pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 1 armë zjarri automatik, 1 thikë, municion luftarak dhe një maskë.
Policia thotë se Arbër Tivari është person me precedentë penale në shitjen e lëndëve narkotike, ndërsa armët dhe maska e gjetur në shtëpi kanë ngritur dyshime se ai mund të jetë i përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Ndaj sendet e gjetura në banesën e 25 vjeçarit janë dërguar për ekzaminim.
Lexo edhe: Kërcet arma në Durrës pas aksidentit, plagoset në dorë 25-vjeçari, në kërkim autori/ Emrat
Ekspertiza balistike pritet të nxjerrë nëse automatiku është përdorur në ngjarje në qytetin e Durrësit apo edhe më gjerë!
Ndërkohë policia thotë se po punon për të arrestuar Alket Buçpapën, 28 vjeçarin e identifikuar si autor i plagosjes.
Ky i fundit akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje vepër për të cilën rezulton i dënuar edhe më parë.
Sipas Policisë përdorimi i armëve të zjarrit ku mbeti i plagosur 25 vjeçari Tivari pasoi një konflikt me 28 vjeçarin Buçpapaj pasi ata u përfshinë në një aksident të lehtë me makinat ku udhëtonin në zonën pranë Stacionit të Trenit.
Por duke u bazuar edhe tek precedentët e mëhershëm të dy të rinjve, nuk përjashtohet as mundësia se konflikti mes tyre mund të ketë arsye të tjera.