"Gjyqtar i korruptuar dhe me pasuri marramendëse", qytetarët e presin Bari Shytin me protestë, KPK konstaton probleme

Gjyqtari i Apelit Administrativ të Tiranës, Bari Shyti, doli përpara Komisionit të vettingut për vlerësimin në 3 shtyllat kryesore, atë të deklarimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe integritetit profesional.

Në raportin e tij Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar disa problematika në lidhje me burimin e të ardhurave për blerjen e dy apartamenteve në Durrës dhe në Tiranë.

Bari Shyti dhe i vëllai Ismail Shyti kanë blerë përgjysmë një apartament, por më pas ajo ka kaluar 100 përqind në pronësi të gjyqtarit.

Sipas Komisionit, ka deklarime kontradiktore nga ana e Bari Shytit përsa i përket pagesave ndaj të vëllait për këtë apartament.

Problematika janë vërejtur edhe në blerjen e apartamentin në Tiranë, i cili është shlyer në 4 këste.

Bëhet fjalë për një shumë prej 21 mijë dollarësh që Shyti i ka fituar nga shitja e 60 ton krom nga kompania "Erim SHPK" e vëllait të tij.

Komisioni thotë se kjo shumë e fituar në vitin 2008 është deklaruar si burim të ardhurash vetëm gjatë vettingut dhe se për të nuk rezultojnë të jenë paguar detyrime tatimore.

Në anën tjetër Bari Shyti nuk i pranon rezultatet e KPK teksa thotë se çdo gjë është bërë në mënyrë të ligjshme.

Një tjetër pikë ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ndal është pastërtia e figurës ku ndaj tij janë regjistruar 20 denoncime nga publiku për korrupsion dhe fshehje pasurie, por këto janë ende në proces verifikimi.

Madje pak përpara fillimit të seancës jashtë ambienteve të Pallatit të Kongreseve gjyqtari është pritur nga një grup qytetarësh në formë proteste, të cilët e akuzonin për korrupsion dhe pasuri marramendëse të padeklaruara.

“Gjyqtari Bari Shyti i korruptuar dhe me pasuri marramendëse të padeklaruara, hotele, lokale, miniera” lexoi në një nga pankartat, gjyqtari kur ktheu kokën.

Së fundmi, është konstatuar se gjyqtari ka marrë pjesë në 3 çështje gjyqësore me konflikt interesi.

Në këto procese ka qenë kompania me iniciale G2.SHPK me të cilën, sipas KPK Shyti ka lidhur kontratën e pronësisë në 2010-ën dhe atë të blerjes në 2015 për apartamentin në Tiranë.

Trupa e KPK-së e përbërë nga Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo dhe Firdes Shuli do të vendosin përfundimisht për shkarkimin e gjyqtarit në 25 mars. 

Ne foto: Protesta kunder Bari Shytit

Lexo dhe: Nga shitja e kromit te licensa e HEC, pasuria e gjyqtarit Bari Shyti në Veting

Shyti, hyn në kategorinë e gjyqtarëve të pasur, pasi ka të dhëna të arsyeshme, se qëndron prapa një kompanie kromi që vepron në Bulqizë dhe një hidrocentrali “HEC Shytaj” që ndodhet në Bulqizë.

Kjo kompani kromi mban emrin “ERIM SH.P.K”, dhe sipas dukumentave zotërohet nga 100 për qind të aksioneve, nga vëllai i gjyqtarit administrativ të Apelit, Bari Shyti, shtetasi Islam Shyti.

Galerite e kromit ne Bulqize
Nga verifikimet e kryera rezulton se firma “ERIM SH.P.K”, zotëron leje minerare për shfrytëzimin e kromit në galeritë nr.3, 4 dhe 7, vendburime këto që ndodhen në zonën e Kodër Lerë në Bulqizë.

Në fakt emri i gjyqtarit Shyti, nuk del në asnjë dokument si pronar i kësaj kompanie. Por ai në një deklaratë pasurie të vitit 2008, ka pranuar se ka lidhje me shitjen e kromit nga kjo kompani. “…Në vitin 2008 gjyqtari Shyti deklaron se ka përfituar 21.000 dollarë nga mbledhja dhe shitja e 60 ton mineral krom në periudhën maj – qershor 2008 në stokun e kompanisë “ERIM”…”-.

Aksioner ne ndertimin e HEC?
Ndër të tjera në këtë dokument të siguruar nga “Ora News”, ka dyshime të forta se gjyqtari Bari Shyti, është aksioner në ndërtimin e hidroçentralit “HEC Shytaj” në Bulqizë.

Kjo pasi kompania “ERIM SH.P.K” që zotërohet ngë vëllai i tij Islam Shyti, është bashkë-aksionere në këtë hidroçentral me kompanitë e tjera si “ARKEV SH.P.K” dhe “ÇUPI GROUP SH.P.K”.

Njëherësh Bari Shyti, njihet si gjyqtar që i shërben politikës dhe segmenteve të caktuara të bashkisë së Tiranës dhe më konkretisht kryebashkiakut Erion Veliaj.

Bari Shyti, është gjyqtari që rrëzoi kërkesën e shoqërisë civile, e cila kundërshtonte vendimin e Bashkisë së Tiranës dhe Entit Rregullator të Furnizimit me ujë, për ndryshimin e tarifave mujore të ujit të pishëm për banorët e Tiranës.

Bari Shyti, në 24 dhjetor 2018 rrëzoi kërkesën e shoqërisë civile, duke lënë në fuqi rregullat dhe tarifat e reja të ujit të pijshëm të vendosura nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Foto: LSA, Malton Dibra