Stadiumi, teatri, materniteti, mozaiku, kush e ka radhën? Arkitektja: Shteti i ka shpallur luftë qytetit; Tare: Do merrem me trashëgiminë amerikane
Shembja e godinës së maternitetit "Mbretëreshja Geraldinë" ishte kryefjala e lajmeve të së shtunës që lamë pas.
E para që e denoncoi dhe solli foto dhe video të këtij shkatërrimi ishte arkitektja Doriana Musai.
Musai: Bëhet fjalë për shkatërrimin e njërit prej dy objekteve që cilësohej si objekt kulture i kategorisë së dytë nga Ministri i Kulturës në 2007, godina simotra që janë ndërtuar në të njëjtën periudhë '38-'40 dhe që bartnin vlera unikale arkitektonike, urbanistike dhe memoriale. Bëhet fjalë për djepin e Tiranës dhe gjithë qytetarëve të Tiranës.
E ftuar në Rtv Ora ajo thotë se nuk ka asnjë informacion se kush qëndron pas këtij vendimi.
Musai: Kemi një terr informativ, edhe vetë tabela e punimeve nuk i ka. Nuk ka të cilësuar as vendimmarrësin, as numrin e vendimit dhe as datën kur është marrë ky vendim. Nuk e dimë nëse është Bashkia apo Ministria e Kulturës.
Ngjarja të kujton skenarin e ndjekur me Teatrin Kombëtar.
Musai: Na ka kapur në befasi të gjithëve. Ishte një e shtunë e trishtë e gdhirë me një godinë të copëtuar. E gjymtuan fillimisht godinën dhe po vazhdojnë me procesin 24 orë, natën sidomos, për ta shkatërruar plotësisht.
Studiuesi, Auron Tare, thotë se ndërhyrja ligjërisht është në rregull duke treguar edhe trukun e ndjekur.
Tare: Më thonë që ligjërisht ndërhyrja ka qenë në rregull. Si Monument është e gjitha si Ansambël Monument Kulture. Por mesa kam kuptuar ajo pjesë që është shtuar në kohën e komunizmit nuk e ka pasur statusin e mbrojtjes, i është hequr para një viti. Por duke qenë se është Monument Kulture i kategorisë së dytë dhe memorie jashtëzakonisht e qytetit duhet trajtuar me sa më shumë kujdes, delikatesë sepse kur shikon atë lloj pamje është dramatike dhe të vjen keq që ështe një tjetër Monument Klulture mund të dëmtohet megjithëse kam informacione se ai do të restaurohet pak a shumë si Banka e Shqipërisë e cila ka pasur disa ndërhyrje të ndryshme për ta rehabilituar.
Por a mund të restaurohet një godinë që rrafshohet me buldozer?
Musai: Shkatërrimi dhe restaurimi janë dy gjëra të kundërta. Një gjë që e shkatërron nuk mund ta restaurosh dot. Nëse ka restaurim atëherë bëhet konservim.
Tare: Ka të drejtë arkitektja. Asnjë Monument që prishet dhe ribëhet nga fillimi nuk e ka më vlerën historike por unë po i referohem pjesës së prishur që ka qenë pjesë e periudhës komuniste. Më është thënë që godina origjinale do të ruhet dhe restaurohet përsëri.
Ashtu si me pyjet që është reduktuar hapësira e mbrojtur edhe në qendrën e Tiranës vazhdimisht gjatë këtyre 8 viteve me vendime të njëpasnjëshme është reduktuar hapësira e zonës së mbrojtur dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Musai: Institucionet kanë rënë, shteti nuk ekziston më. Shteti i ka shpallur luftë qytetit, në këtë pikë jemi. Kjo e fundit ishte flagrante, e bërë natën pa njoftim, pa konsultim, pa vendim dhe duke ngritur dhe hije spekulimi në terr informativ. Nuk mund të thuash njëra monument dhe tjetra jo, ato godina janë ndërtuar njëkohësisht. Është e njëjta godinë, thjesht arkitekti italian ka zgjedhur ta zhvillojë me një portikat në mes. Ajo që ndryshon është fakti se i është bërë një shtesë kati godinës së shkatërruar sikurse u është bërë të gjitha ministrive. Nëse ky është justifikim atëherë duhet shkatërruar i gjithë korpusi i ministrive.
Projekti që pritet të implementohet duket se nuk ka shumë lidhje me godinën ekzistuese, por për arkitekten kjo nuk ka më rëndësi pas shembjes së saj.
Musai: Për sa më takon aty mund të ndërtohet dhe një kullë nesër. Këtu fillon loja, ato mund të bëjnë çtë duan në momentin që e shkatërruan.
Auron Tare, ndër zërat e paktë që flasin publikisht në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, kur pyetet se ku i ka shokët, mes humorit jep këtë përgjigje:
Tare: Unë ka shumë mundësi që do të filloj të merrem me trashëgiminë amerikane se u pa puna me trashëgiminë shqiptare.
Papërgjegjshmëria ka vënë dorë sot duke hapur një gropë fare pranë mozaikut të Tiranës. Edhe aty fadromat kanë ndërhyrë, një denoncim i bërë nga pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci.
Musai: I janë sulur të vetmit site arkeologjik që ka qytetit, guri i parë i themelimit të qytetit. Sot aty kanë kaluar ruspat. E gjithë zona është zonë e mbrojtur dhe perimetri duhet ruajtur me fanatizëm. Ata e kanë ditur ku po ndërhyjnë, më duket veprim me dashje. Nuk i lë dot përgjegjësinë atij që ka çuar eskavatorin aty.
Tare: Është e detyrushme që anjë ndërhyrje të mos bëhet pa pasur praninë e arkelologjisë së shpetimit, aq më tepër me mjete të rënda. Është totalisht e palejueshme ajo që ka ndodhur me mozaikun e Tiranës.
Ndërkohë Gjirokastra rrezikon të humbë statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për shkak të projektit për ndërtimin e by-passit të qytetit.
Tare: Futja e Gjirokastrës në listën e rrezikuar është me pasoja negative sepse tregon që autoritetet shqiptare nuk janë të afta për të ruajtur trashëgiminë e tyre dhe vendoset një lloj tetulazhi siç u bë në 1997 me Butrintin.
Musai: Kemi shkatërrim me dashje, po përdoret ligji për të shkatërruar. Ka papërgjegjshmëri institucionale. Mungesë transparence totale dhe përjashtim të qytetarëve. Nuk kemi mekanizma mbrojtës, nuk mund të mbrojmë me trup çdo objekt. E pamë me Teatrin, përdoren edhe forma të armatosura për të shkatërruar monumente.
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana