Ish-ambasadori William Burns merr 'bekimin' e republikanëve dhe demokratëve në Senat për drejtimin e CIA-s
Senati amerikan konfirmoi të enjten ish-ambasadorin William Burns në postin e Drejtorit të CIA-s, duke e plotësuar ekipin e Presidentit Biden me një anëtar tjetër të rëndësishëm.
Ligjvënësit miratuan me një votim të hapur unanim Burns, vetëm pak orë pasi u hoq një bllokim ndaj kandidaturës së tij.
Ai mori mbështetje nga demokratët dhe republikanët pas dëshmisë së tij para Komisionit të Senatit për Zbulimin.
Kryetari i këtij komisioni, senatori Mark Warner e cilësoi mbështetjen dypartiake për zotin Burns si një "dëshmi të kualifikimeve të padiskutueshme të tij".
Por Burns u përball me një bllokim në fillim të këtij muaji nga senatori Ted Cruz, i cili citoi kundërshtimet ndaj qasjes së administratës Trump në lidhje me gazsjellësin natyror të Rusisë “Nord Stream 2”.
Senatori Cruz e hoqi bllokimin të enjten pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar vendet pjesëmarrëse në projektin rus se rrezikojnë të përballen me sanksione nga Shtetet e Bashkuara nëse e mbështesin projektin rus.
Pas konfirmimit nga Senati të enjten, 64-vjeçari Burns bëhet diplomati i parë i karrierës që drejton agjencinë amerikane të spiunazhit.
Ish zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se ai do të duhet të përballet shpejt me disa sfida, përfshirë shqetësimet në lidhje me moralin brenda agjencisë që burojnë nga ankesat se produktet e inteligjencës u politizuan nën administratën e ish-Presidentit Donald Trump.