3000 euro për minë me celular, kapen prodhuesit e “bombave”, do shisnin 4 copë në Durrës

Dy persona u vunë në pranga nga policia me dyshimin se prodhonin mina të telekomanduara me celular. Agron Gurakuqi dhe Bledian Gresa, u ndaluan në Durrës, ku dyshohet se do të shisnin 4 mina  me çmim  3 mijë euro copa.

3000 euro do të shitej një nga këto 4 mina të telekomanduara me celular të sekuestruara nga Policia e Durrësit.

Në pranga përfunduan dy persona, të cilët akuzohen se i përgatisnin me qëllim për ti shitur në tregun e zi.

Të arrestuarit janë Agron Gurakuqi, 46 vjeç, dhe Bledian Gresa, 35 vjeç.

Ata rezultojnë të dy banues në Tiranë dhe persona me precedentë penalë për "ndërtim pa leje" dhe “armëmbajtja pa leje “.

Bombat me telekomandë ishin të përgatitura, gati për shpërthim dhe do të shiteshin në qytetin e Durrësit.

Por policia thotë se kishte marrë informacion për këtë veprimtari dhe organizoi operacionin "Distanca" duke i vënë në pranga.

Agron Gurakuqi dhe Bledian Gresa, në vijim pritet të merren në pyetje për vendin ku kanë punishten dhe porositësit e dërgesës me 4 mina.

Ndërsa në banesën e Bledian Gresës iu gjet një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa.

Përgjatë tre muajve të parë të parë të këtij viti dhe në muajt e fundit të vitit 2020, policia ka goditur disa raste të tregtisë së armëve dhe municioneve në tregun e zi të cilat dyshohen së përdorën për ngjarjet kriminale.

Rasti më i fundit  i sulmeve me bombë të telekomanduar, ishte ai ndaj makinës së Prokurorit Arjan Muça në Tiranë.

Disa javë më herët, një atentat i ngjashëm iu bë në Kamzë biznesmenit Gjon Mena, i cili mbeti i plagosur.

Ndërsa në vend janë regjistruar edhe disa raste të të vendosjes së eksplozivit në banesa.

Përgjatë vitit 2020, sulmet me mina kanë qenë të shumta.