Suzana Turku: Nuk ka muzikë të keqe, tekstet janë të tmerrshme
Dirigjentja Suzana Turku e ftuar në emisionin Ditë e Re në RTV Ora së fundmi ka marrë titullin "Mjeshtër i madh" në muzikë.
Ajo ka treguar pasionin e saj për muzikën që në moshë të vogël dhe ka thënë se puna e një dirigjenti është të organizojë gjithçka.
"Dirigjenti është lideri, është organizatori i gjithçkaje."
E pyetur se çfarë mendon për muzikën që krijohet sot Suzana ka thënë se muzika është diçka e bukur, por është teksti ai që bën diferencën.
"Si unë ka shumë, unë jam një nga njohëset e vokalit. Unë nuk jam me këtë, gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë, gjithkush mund të provojë, por gabimi është tek ata që e pranojnë atë nivel. Sepse nëse të pëlqen të këndosh dhe të është mbushur mendja që ti këndon shumë bukur, unë ty s'të ndaloj dot, ama unë ty nuk të dëgjoj në qoftë së s'më pëlqen.
Edukimi i brezave duhet të fillojë që në moshën e vogël, edhe më vonë sepse asnjëherë nuk është vonë për asgjë, që fëmija të njohë kush është e bukura. Kur po vija këtu dëgjova një këngë e cila kishte një tekst të tmerrshëm. Kaq! Dhe u trishtova sepse është e tmerrshme si influencojnë tekstet e muzikës tek publiku.
Se nuk ka muzikë të keqe, muzika është e bukur, por kur je e vëmendshme dhe e dëgjon tekstin për mua është shqetësuese. Ndërsa këto rrymat janë në të gjithë botën dhe s'mund t'i ndalosh as këtu tek ne," ka thënë Turku.