Ermal Meta triumfon në natën e dytë të "Sanremo" me "Un milione di cose da dirti"
Ermal Meta triumfon në natën e dytë të festivalit të Sanremos 2021 me këngën e tij "Un milione di cose da dirti".
Kantautori shqiptar u rendit në vendin e parë në klasifikimin provizor të natës së dytë ku garuan 13 këngëtarë e po në vend të parë u rendit në klasifikimn provizor e të përgjithshëm për 26 këngëtarët konkurrues në kategorinë Kampioni.
Kënga "Un milione di cose da dirti" mban autorësinë e tekstit të Ermal Metës e muzikën me bashkëautorësi të tij dhe Roberto Cardelli.
"Është një këngë e thjeshtë dashuri, thotë Ermal Meta, me një melodi esenciale me pak nota, e që rrëfen një ndjenjë personale e aftë të përfshihet në një kontekst universal."
Prej ditës së sotme kantautori shqiptar ka nxjerrë dhe videon zyrtare të kësaj kënge e cila është pjesë e albumit të fundit "Tribu Urbana" i cili do të dal në treg më 12 mars 2021.
Nata e tretë e Festivalit të Muzikës Italiane i dedikohet këngëve cover, e dueteve me të ftuar, të zgjedhura nga 26 këngëtarët pjesëmarrës me pjesë të repertorit më të mirë të muzikës italiane.
Kantautori shqiptar ka zgjedhur të interpretoj këngën "Caruso" të të madhit Lucio Dalla e që pikërisht sot është dita e tij e lindjes.
Në mbrëmjen e sotme bashkëprezantues me Amadeus do të jetë topmodelja italiane Vittoria Cerreti e do të rikthehet në skenë futbollisti i Milanit Zlatan Ibrahimoviç.
Të ftuar special do të jenë në natën e tretë trajneri i Bolonjës Sinisa Mihajlovic i cili do të sjellë në skenën e Teatrit Ariston dhe dëshminë jetësore të sëmundjes së tij prej disa muajsh.
Amadeus, Fiorello, Ibrahimoviç dhe Mihajloviç do të intereptojnë së bashku këngën "Io vagabondo" të grupit Nomadi.
Një tjetër moment mjaft i pritshëm i kësaj nate do të jetë dhe perfomanca e grupti Negramare të ciëlt do të interpetojnë këngët e tyre më të mira ndër vite.
Nata e dytë e Festivalit të Sanremo 2021 u mbyll me një numër më të ulët telespektatorësh në krahasim me një ditë më parë.
Kjo natë ka regjistruar mesatarisht 7 milionë e 586 mijë ndjekës e në pjesën e parë të saj numri i tyre ka arritur në rreth 10 milionë e 113 mijë.
