Filtër për filmat e diktaturës, Godole: Transmetimi i tyre "vret" në vazhdimësi ish-të përndjekurit
Filmat ishin një ndër shumë mjetet që regjimi komunist përdori për të përcjellë ideologjinë e tij.
30 vite nga rrëzimi i diktaturës produksionet e ish-Kinostudios Shqipëria e Re, vijojnë të transmetohen në mungesë të një filtri.
Drejtorja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë Jonila Godole thekson nevojën e vendosjes së filmave në kontekstin socialo-politik.
"Nuk mund të vazhdohet me filma propagandë."
Qasja kritike ndaj veprave kinematografike të regjimit të kaluar do të ndihmonte jo vetëm në informimin e drejtë të brezit të ri por edhe në rikthimin e dinjitetit moral të ish-të përndjekurve politikë.
"Është një fyerje për të përndjekurit politik, është një vrasje vazhdimisht duke u kujtuar të afërmit e tyre."
Por të njejtin mendim nuk ndan drejtorja e Arkivit të Filmit. Me rëndësi për Iris Elezin është shtimi i numrit të kritikëve të filmit, të cilët do të mund të japin një panormë edhe më të qartë të kinematografisë në kohën e diktaturës.
"Nuk duhet të jemi naivë që dikush nuk arrin dot të dallojë gënjeshtrën. Duhet të punojmë që njerëz që studiojnë filmin të rriten në numër."
Aktiviteti me temë “ Filmat e Kinostudios, propagandë apo pasuri kombëtare” u mbajt në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”.