Dështon rindërtimi në Tiranë, familja me 9 anëtarë jeton në banesën e pasigurt

Një familje e përbërë nga 9 anëtarë, e cila jeton fare pranë kryeqytetit, në fshatin Tujan, rrezikohet çdo ditë nga banesa e dëmtuar prej tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Ata kanë aplikuar për bonus qiraje dhe për të përfituar nga fondi i rindërtimit, por deri tani asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Fatkeqësisht, ky nuk është problemi i vetëm i tyre.

"Kush është në shtëpi që janë shpallur të pabanuara vetëm do të plotësojë formularin. Jemi përgatitur të paguajmë deri në 2000 familje , kemi më pak,  që të paguajmë një qira sa është çmimi i tregut, 100%."

Kjo është ajo çfarë deklaronte kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, më shumë se 1 vit më parë.

Por situata larg syve të publikut dhe larg propagandës së Veliajt shfaqet totalisht ndryshe.

Këto janë rrënojat e banesës së familjes Pëllumbi me 9 pjesëtarë në fshatin Tujan, vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës.

Shtëpia e tyre u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit dhe prej asaj kohe kjo familje jeton në këto kushte, të cilat nuk plotësojnë as nevojat më jetike.

Violeta Pëllumbi, nënë e 4 fëmijëve, tregon vështirësitë e saj.

"Jemi 9 veta. Dëmtime nga tërmeti kemi pasur goxha, nuk na kanë dhënë asnjë ndihmë. Kanë ardhur me ca letra, duke filmuar me telefon. Bonusin e qirasë nuk  e kemi marrë, se jeni në fshat i kanë thënë burrit. Të tjerë kanë marrë."

Nga akt-konstatimi i bërë, banesa e tyre është vlerësuar në gradën DS5 për ribërjen e saj nga fillimi.

Violeta pohon se ka aplikuar për rindërtimin dhe bonusin e qirasë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë.

Fatkeqësisht ky nuk është problemi i vetëm për këtë familje.

Në banesën e dëmtuar jetonin 9 anëtarë, por nga drejtoria e Strehimit atyre u njihen vetëm tre të tillë.

Kjo përkthehet në një sipërfaqe më të vogël në procesin e rindërtimit të banesës, çka e bën sërish të pabanueshme shtëpinë e re për të gjithë anëtarët e kësaj familje, nëse ajo do të përfundojë ndonjëherë.

"Tërmeti më ka dëmtuar gjithë banesën, e ka shembur dhomën komplet. Çuni është ndarë për një asistencë por në një vend jetojmë. Këtu na fut ujin brenda."

Kërkesa e vetme e kësaj familje është një shtëpi e re për t’u strehuar të 9 pjesëtarët e saj.

"Një shtëpi, ndonjë ushqim. Nuk kemi asgjë në shtëpi, 9 vetë për jetuar."

"Dua një shtëpi të re."