Rama konfirmon refuzimin e Dritan Lelit: Me të apo pa të, PS do të realizojë objektin në Vlorë

Kryeministri Edi Rama konfirmoi se kryebashkiaku Dritan Leli ka refuzuar kërkesën e tij për të qenë pjesë e skuadrës së 25 prillit.

Rama nuk zbuloi arsyet por siguroi se me Lelin apo pa Lelin, PS do të realizojë realizojë objektivin bazë  të 8 mandateve dhe do të shkojë shumë afër objektivit maksimal, që është 9 mandate deputetësh.

Lexo edhe: Leli refuzon Ramën, nuk le bashkinë e Vlorës për tu bërë deputet

Lista e kandidatëve për deputetë në qarkun e Vlorës do të kryesohet nga Pranvera Resulaj.

Pyetje: Qarku i Vlorë, çfarë kërkesë apo propozimi të ri i keni bërë ju Dritan Lelit dhe kjo lidhet me kënaqësinë për punën e tij në bashkinë e Vlorës apo pakënaqësinë për punën e tij?

Rama: Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendshme, nuk ka fare rëndësi se çfarë ka menduar njëri apo tjetri. Është e vërtetë që unë i kam propozuar të bëhet pjesë e skuadrës, nuk e ka parë të arsyeshme. Është zgjedhja e tij.Me të apo pa të, skuadra jonë do të realizojë objektivin bazë  dhe do të shkojë shumë afër objektivit maksimal që është plotësisht i mundur sipas meje.

Rama shtoi se politika është sport skuadre dhe jo sport individual.

Rama: Është normale të bëhen komente iku ky apo ai. Do të doja që të kishit të qartë një gjë, që nuk është një sport individual, ky është një sport skuadre, partia është një skuadër. Nuk është thjesht çështje e spikatjes së një individualiteti në publik por është shumë më tepër se kaq, nuk është çështje e një lojtari që driblon bukur por të gjithë repartit.Më mirë se kushdo tjetër lojtarët i gjykon kush i sheh jo vetëm në ndeshje por edhe në stërvitje, udhëtim, stol, kur zgjohen, me sa dëshirë vijnë në stërvitje, sa janë të gatshëm të sakrifikojnë për njëri-tjetrin. Është shumë e rëndësishme tu them socialistëve dhe shqiptarëve që skuadra jonë e 25 prillit do të jetë skuadër.