Në sitë pronat dhe llogaritë brenda dhe jashtë vendit të kardiokirurgut Edvin Prifti

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet në lidhje me pasurinë e kardiologut Edvin Prifti pak ditë pas arrestimit të tij me akuzën për pastrim parash dhe korrupsion. Ndërkohë mjeku dhe të arrestuarit e tjerë për korrupsionin në gjykatën e Krujës, i janë dretjuar gjykatës së Apelit ku kanë bërë ankim ndaj masës "arrest me burg" në të cilën u lanë nga shkalla e parë.

Prokuroria ka nisur verifikimet në lidhje me pasuritë e ish-shefit të Kardiologjisë së QSUT, mjekut Edvin Prifti, i arrestuar javën e kaluar me akuzën për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas informacioneve të marra deri më tani nga hetuesit mësohet se mjeku ka prona të konsiderueshme në kryeqytet dhe sasi të konsiderueshme monetare në banka brenda dhe jashtë vendit.

Hetimi pasuror vjen pas nisjes së hetimeve për pastrim parash të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, e cila gjatë kontrollit i gjeti mjekut në banesë 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë.

Gjithashtu prokuroria ka sekuestruar edhe regjistrin e planifikimeve të operacioneve të mjekut për të verifikuar procedurën që ndiqet në rastet e operacioneve dhe për të parë nëse me këto raste ka pasur parregullsi apo zvarritje.

Edvin Prifti ra në pranga pas hetimeve të SPAk për korrupsionin me lirimet nga burgjet në gjykatën e Krujës ku u arrestua edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Avokatët kanë bërë të ditur se të gjithë të arrestuarit i janë drejtuar gjykatës së Apelit për të ankimuar vendimin e gjyqtares Etleva Deda, e cila miratoi kërkesën e prokurorit për masën "arrest me burg".

LEXO EDHE

Policia gjeti një bllok me listë emrash në shtëpinë e mjekut Prifti, dyshohet se ka marrë rryshfet prej tyre