Vrasja e shqiptarit alarmon Islandën, konkurrenca në biznes pista kryesore e hetimit
Vrasja e sipërmarrësit shqiptar në Islandë Armando Beqiri ka nxitur reagimin e autoriteteve më të larta në lidhje me situatën e rendit në vend.
Ministrja e drejtësisë, Laslaug Arna Sigurbjurnsduttir është shprehur me shqetësim duke thënë se atentati ka ngjallur frikë tek qytetarët dhe ka kërkuar që kjo çështje të adresohet dhe se oficerët e policisë duhet të jenë të përgatitur dhe të aftë t'i përgjigjen çdo situate dhe të ruajnë sigurinë e publikut.
Ndërkohë shefi i policisë Karl Steinar Valsson, ka pohuar dyshimet se vrasja mund të jetë e lidhur me botën e nëndheshme të krimit.
I riu shqiptar që ishte vendosur në Islandë në vitin 2014 kishte arritur sukses atje pasi mësoi gjuhën, u pajis me dokumente dhe madje votoi për herë të parë.
Ai kishte hapur një kompani të ruajtjes fizike e cila arriti me shpejtësi të futet në treg ndërsa ky sukses i biznesit të shqiptarit është një nga pistat e hetimit për vrasjen.
Armando Beqiri, i cili më 16 shkurt mbushi 33 vjeç, la pas gruan shtatzënë 24 javëshe me të cilën kishte edhe një fëmijë.
I riu u qëllua me armë pranë banesës së tij pasi parkoi automjetin në garazh dhe po ecte në këmbë për të hyrë në shtëpi.
Fqinjët thanë se nuk kishin dëgjuar zhurmë arme duke krijuar kështu përshtypjen e një vrasje të realizuar me silenciator.
Tre persona, mes të cilëve një islandez dhe dy të huaj që qëndronin në një shtëpi jashtë qytetit janë ndaluar nga policia në lidhje me ngjarjen.
Zyrtarët ende nuk thonë nëse bëhet fjalë për persona me dijeni për vrasjen apo për pjesëmarrës në krim.
Nga ana tjetër policia thotë se një 40-vjeçar lituanez dyshohet të jetë personi që ka shkrehur armën ndaj shqiptarit.
Para se të shkonte në Islandë ai kishte qëndruar disa vite në Greqi. Policia ka thënë se viktima nuk kishte precedent penalë madje njihej si një tifoz i flaktë i kombëtares së futbollit të Islandës dhe njohës i tri gjuhëve të huaja.