Masakra në ish-Bllok, Gjykata e Tiranës kalon për gjykim dosjen penale për Ervin Matën
Pesë persona do të gjykohen me akuza për moskallëzim krimi dhe plagosje në kushtet e vetëmbrojtjes në lidhje me përplasjen me armë të ndodhur në zonën e bllokut në tiranë më 4 tetor 2018.
Gjykata e Tiranës kaloi në gjykim dosjen ndaj të pandehurve për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.
Konkretisht, të pandehurit Ervin Mata, Geldo Hoti, Ajaks Boshnjaku dhe Redi Popesku akuzohen dhe do të gjykohen për moskallëzim krimi.
Ndërkohë ish-komandoja i ushtrisë Meviol Bilo, akuzohet për plagosje në kushtet ekstreme në nevojë për tu mbrojtur në dëm të Eljon Hatos.
Çështja është pushuar për shtetasin Fabian Gaxha, i cili mbeti i vrarë.
Prokuroria shkruan në dosjen e saj se ish ushtaraku Meviol Bilo ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes pasi viktima Fabian Gaxha ishte i pari që ka shtënë me armë në distancë të afërt.
Ngjarja e rëndë sipas organit të akuzës ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes dy grupeve në një lokal në ish-Bllok.
Natën e ngjarjes palët kanë qenë në të njëjtin lokal ndërkohë që Fabian Gaxha së bashku me personin tjetër të paidentifikuar kanë kapur nga krahët ish komandon Mevjol Bilon dhe e kanë goditur me grushta dhe me pjesën fundore të armës që kishte me vete Fabian Gaxha.
Në këto momente drejt tyre kanë shkuar personat e tjerë që ndodheshin aty me qëllim ndaljen e konfliktit fizik.
Sipas prokurorisë, në kohën kur palët kanë ndërhyrë kanë ndodhur edhe të shtënat me armë nga të cilat ka mbetur i vdekur Fabian Gaxha dhe janë plagosur Ervis Martinaj dhe Elion Hato.