Ambulanca del nga rruga në autostradën Durrës-Tiranë, vdes pacientja me Covid-19

Një grua e moshuar e prekur me koronavirus humbi jetën pasi autoambulanca që po e transportonte drejt  spitalit në Tiranë u aksidentua në Durrës.

Ngjarja u shënua në orën 03:45, në autostradë, ku drejtuesi  51 vjeçar humbi kontrollin e mjetit që u përmbys në anë të rrugës pranë Maminasit.

Viktimë mbeti 71 vjeçarja Arziko Shehu, e cila sipas burimeve po dërgohej në spitalet Covid në kryeqytet,ndërsa e plagosur mbeti lehtë një familjare që po e shoqëronte!

Nga të dhënat e para shkak për aksidentin është bërë shpejtësia e lëvizjes së autoambulancës dhe prania e dëborës në rrugë.

Emergjenca shëndetësore ndërkohë mësohet se janë regjistruar edhe në bashki të tjera.

Në qarkun Elbasan, gjatë natës dy personave iu rrezikua jeta si pasojë e situatës së krijuar nga stuhia e dëborës dhe motit të keq.

 Në fshatin Xibrakë një qytetar i ngecur në rrugë thirri ambulancën, e cila e transportoi në spital.

Ndërsa në fshatin Gjyrale, një të sëmuri me Covid iu rrezikua jeta pasi për shkak të mungesës së energjisë elektrike nuk mund të përdorte aparaturën e oksigjenit për trajtim në banesë.

Për të shmangur rrezikun që mund të krijohej në kushtet e motit të rënduar, familjes iu dërgua një gjenerator në banesë.