Bora bllokon rrugën Lezhë-Milot, dhjetëra makina prej orësh në pritje, policia këshillon të përdorin rrugën e vjetër
Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta sollën vështirësi në shumë qytete të vendit mbrëmjen e së shtunës.
Për më shumë se katër orë Autostrada Lezhë-Milot u bllokua si pasojë e ngricës në rrugë.
Udhëtarët u detyruan të qëndronin gjatë në temperatura disa gradë nën zero teksa denoncuan me video neglizhencën e autoriteteve për mos menaxhimin e situatës.
Në orët e mbrëmjes, drejtoria vendore e policisë Lezhë njoftoi se si pasojë e reshjeve të dëborës, prezencës së akullit në rrugë dhe erës së fortë, aksi rrugor Lezhë-Milot është i bllokuar.
Policia këshillon që drejtuesit e mjeteve të përdorin aksin e vjetër Lezhë-Milot.
Për shkak të situates se krijuar me bllokimin e rrugëve si pasojë e dëborës, drejtoria vendore e policisë Lezhë do të procedojë të gjitha firmat mirëmbajtese të rrugëve që nuk ndërhynë në kohë për të mbajtur akset e kalueshme.
Asnjë nga firmat, duke përjashtuar firmën mirëmbajtëse të aksit të vjetër Lezhë-Pllane, nuk morën masa për të shmangur këtë situatë të krijuar.
I vështirë qarkullimi është edhe përgjatë Rrugës së Kombit ku ka prezencë të borës dhe akullit.
Problematike paraqitet situata edhe në aksin Murrash-Librazhd- Përrenjas-Qafë Thanë-Doganë-Pogradec.
Moti i keq ka sjellë bllokimin e 11 fshatrave në qarkun e Elbasanit.
Reshjet intensive të dëborës kanë lënë në terr gjysmën e qytetit të Librazhdit.
Të shtunën pothuajse i gjithë vendi u përfshi nga reshje intensive dëbore, ndërsa temperaturat u ulën disa gradë nën zero.
LEXO MË SHUMË
Dëbora izolon fshatrat, stuhi dhe reshje të dendura në të gjithë vendin
Situatë kaotike në Shkopet, qindra makina të bllokuara, mes udhëtarëve fëmijë dhe të moshuar
Probleme nga bora, prej orësh makina të bllokuara në Fushë Labinot e Lezhë, ngrin Rruga e Kombit