Dëbora izolon fshatrat, stuhi dhe reshje të dendura në të gjithë vendin
Reshjet e dëborës kanë zbardhur këtë të shtunë thuajse të gjithë Shqipërinë.
Ulja e ndjeshme e temepraturave dhe erërat e forta kanë krijuar probleme në shumë bashki e fshatra.
Në Lezhë, dy rrugët që të çojnë drejt spitalit u bllokuan nga prezenca e dëborës.
Lëvizja me automjete ka qenë e vështirë, ndërsa ndërsa lëvizja e autoambulancave ishte e pamundur, duke sjellë probleme për qytetarët që kërkonin shërbimin shëndetësor.
Qytetarët u shprehen të revoltuar për mungesën e ndërhyrjes së Bashkisë.
Për shkak të reshjeve të mëdha, edhe ndeshja e futbollit Besëlidhja-Partizani B, u anulua.
Veç problemeve, mbulimi me dëborë i plazhit të Shëngjinit ofroi pamje mahnitëse.
Mbi 40 centimetër borë, kanë rënë në Tropojë në lartësinë mbi 80 metra, ndërsa nuk raportohen probleme.
Në Dibër, temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero dhe dëbora ka zbardhur gjithçka.
Por në shumë fshatra në Bulqizë u ndërpre energjia elektrike.
Gjatë ditës, për disa orë aksi Burrel-Skuraj ka qëndruar i bllokuar, për shkak të mospastrimit të rrugës.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në Korçë, ku aksi Qafë-Thanë-Pogradec lëvizet vetëm me zinxhirë, ndërsa rruga Lin-Pogradec u bllokua.
Elbasani po ashtu si rrallëherë u mbulua nga dëbora, dhe aksi për në Qafë-Thanë kalohet vetëm me zinxhirë.
Por teksa, vendi po përballet me akse të bllokuara, e temepratura të ulëta, 30 alpinistë kanë sfiduar kohën duke u ngjitur në malin e Tomorrit në 2416 metra lartësi.
Por IGJEUM në deklaratën e bërë paralajmëron se temperaturat do të vazhdojnë të ulen ashtu si dhe reshjet.
Për shkak të temperaturave të ulëta Ministria e Arsimit ka deklaruar se mësimi do të zhvillohet online në të gjithë vendin.