''Trump i pafajshëm'', avokatët mohojnë akuzat

Senati amerikan lejoi të premten avokatët e ish-presidentit Donald Trump  që të argumentojnë pse ai nuk duhet të mbajë përgjegjësi për revoltën e 6 janarit në Kapitol.

Në seancën 3-orëshe, pala mbrojtëse shprehu keqardhje për incidentet dhe humbjen e 5 jetëve të pafajshme.

Ata thanë se mesazhi që ish-kreu i shtetit dha atë ditë për simpatizantët, nuk nxiste dhunë, siç pretendojnë demokratët, por ishin elementë të caktuar që e kishin atë qëllim në vetvete.

"Të pretendosh se presidenti dëshironte apo inkurajoi paligjshmërinë dhe sjelljen e dhunshme, është një gënjeshtër absurde dhe monstruoze. Në fakt, dy mesazhet që presidenti dërgoi në Twitter sapo nisi inkursioni ishin 'Qëndroni të qetë' dhe "Mos dhunoni sepse ne jemi parti e ligjit dhe e rendit," tha avokati Michael van der Veen.

"Ju lutemi mos u bëni hipokritë. Mos folët ju më butë, mos i denoncuat ju verën e kaluar vandalët që protestonin për vrasjen George Floyd?  A nuk ishit me kryetaren tuaj, Nancy Pelosi, që thoshte: 'Njerëzit do bëjnë atë që duan'," tha avokati i ish presidentit David Schoen.

"Kriminelët në Kapitol nuk ishin fare aty që të dëgjonin fjalët e presidentit. Ishin një milje tutje duke vënë në praktikë sulmin e planifikuar në këtë ndërtesë. Sepse ky ishte një sulm i parapërgatitur, mos e harroni këtë fakt kritik," tha avokati tjetër Bruce Castor.

Avokatët theksuan se gjyqi politik që po mbahet në Senat nuk është në thelb kushtetues, por hakmarrje politike.

Argumente të kundërta parashtroi ditë më parë opozita e dikurshme, por senatorët republikanë deri tani thonë në shumicë se nuk janë të bindur a duhet dënuar ish-presidenti.

Demokratët thonë se nëse kjo nuk ndodh, do përdorin instrumente të tjera kushtetuese për t'i mohuar Trump shansin për të kandiduar sërish për president të Amerikës.