Një ditë më parë la spitalin Covid, vdes në burg 58-vjeçari shqiptar
CNjë ditë më parë kishte dalë nga Departamenti i sëmundjeve infektive të spitalit Cardarelli në Campobasso. Por pas disa orësh, sapo u kthye në burgun e Larinos, ndërroi jetë.
Bëhet fjalë për një të burgosur shqiptar, 58-vjeç.
Ekspertiza fillestare fliste për arrest kardiak, por autoritetet kanë kërkuar një autopsi më të plotë për të mësuar shkaqet e vërteta të vdekjes duke ditur që shqiptari ishte shtruar në spital pas infektimit me Covid-19, shkruajnë mediat italiane.
Burgu i Larinos u bë objekt lajmesh pas një shpërthim të madh vjeshtën e shkuar ku dhjetëra të burgosur u infektuan me Koronavirus, raporton Ora News.
Aldo di Giacomo, zyrtar i Sindikatës së Policisë Penitenciare ka kthyer në qendër të vëmendjes çështjen e 58-vjeçarit të ndjerë dhe përsëri ka kërkuar që të burgosurve dhe oficerëve të burgjeve t'u jepet një nga dy vaksinat e autorizuara më parë nga Aifa, pra Pfizer ose Moderna dhe jo AstraZeneca.
Di Giacomo kundërshton vendimin e qeverisë për të administruar vaksinën AstraZeneca për të burgosurit, por edhe për policinë dhe mësuesit, e cila për momentin duket se është më pak efektive për njerëzit mbi 55 vjeç dhe me patologji të konfirmuara.
/a.r,OraNews