Vdekja e 22-vjeçarit në Fier, familjarët ngrenë dyshime se është vrarë
Ky është 22-vjeçari Sokol Shytre i cili u gjet i vdekur me datën 8 në afërsi të Petroliferës ne Vlorë.
Ai është përcjellë për në banesën e fundit mesditën e së mërkurës në fshatin ku banonte në Kurjan të Fierit.
Edhe pse policia në njoftimin paraprak, tha se dyshohet të jetë mbytur burimet thonë se familjarët e tij kanë dyshime të forta që Sokoli është vrarë, pasi gjetja e trupit të tij në Vlorë është e paarsyeshme, dhe askush nuk ka qenë në dijeni se ku ndodhej.
Banorët e zonës, thonë se familjarët i kanë gjetur shenja në trup që lënë dyshime se ai është dhunuar, edhe pse një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga policia.
"Kishte shenja në trup, por asnjë lloj dijenie për ku p.sh."
22-vjeçari kishte pak muaj që ishte kthyer nga emigrimi ku punonte herë pas here, ndërsa të afërm e miq, e njohin si një djalë jo problematik.
"Shumë njerëz të mirë, djalë i mirë. Punonte në Itali."
Familjarët hedhin poshtë pistën që ai ka qenë i sëmurë më parë, ndaj i bëjnë thirrje autoriteteve të zbardhin ngjarjen e rëndë.
"Policia të marrë masat dhe të gjenden autorët. Duhet të kërkohet drejtësia, se del djali nga shtëpia dhe vjen i vdekur."