Pandemia "kolapson" Kapshticën, pala greke mbyll pikën kufitare deri më 22 shkurt

Greqia ka vendosur të mbajë të mbyllur të paktën deri më 22 shkurt pikën kufitare të Kapshticës për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Lëvizja në rrugë tokësore do të bëhet vetëm përmes Kakavijës.

Pika kufitare e Kapshticës do të qëndrojë e mbyllur deri më 22 shkurt. Autoritetet greke kanë vendosur të shtyjnë vendimin për rinisjen e lëvizjes normale, në kuadër të masave të qeverisë helene për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Hyrja në territorin e Shqipërisë nga kjo pikë kufitare është e lejuar për këmbësorët, dhe kamionët e mallrave nga ora 06:00 të mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes.

Autobusët, taksitë dhe mjetet e tjera të pasagjerëve nuk u lejohet hyrja në Shqipëri.

Mbyllja e Kapshticës e ka devijuar lëvizjes tranzit përmes Maqedonisë së Veriut, ku pika kufitare e Qafë Thanës vijon të shënojë fluks.

Në rrugë tokësore mes Shqipërisë e Greqisë kalohet  vetëm përmes pikës kufitare të Kakavijës, ku në ditë kalojnë 750 persona.

Të gjithë qytetarët duhet të jenë të pajisur me rezultatin e testit negativ me metodën PCR, ndërsa në kufi i nënshtrohen një testi të shpejtë.

Fluturimet mes Shqipërisë e Greqisë, kryhen vetëm përmes aeroportit ndërkombëtar të Athinës.

E kufizuar mbetet lëvizja nga deti e ajri edhe me Italinë, ndërsa drejt Maqedonisë së Veriut, Kosovës e Malit të Zi, mund të udhëtohet pa kufizime.

Shqipëria nga ana tjetër veç matjes së temperaturës, nuk zbaton masa kufizuese të hyrjes në kufi.