Përgjimet e Antimafias/ Kola: Hetimi i SPAK, pas presionit të palës italiane. Duhej të niste në verë
Analisti Vehap Kola ishte i ftuari i gazetares Beti Njuma në “Intervista e Mbrëmjes” në RTV Ora.
Sa i përket nisjes së hetimeve nga ana e SPAK lidhur me përgjimet e antimafias italiane, Kolaa u shpreh se, kjo nismë e strukturës së posaçme erdhi pas presionit të palës italiane.
“Hapja e hetimeve për korrupsionin, ndërtimin, pastrimin e parave në Tiranë besoj se është më shumë si pasojë e presionit të drejtpërdrejtë nga Prokuroria e Antimafias italiane. Njoftimi u bë pasi kreu i SPAK u kthye nga Italia. E kuptuam që kishin nisur hetimet pasi ishin kthyer nga Italia. Ndërkohë që kemi dëgjuar një presion publik të ambasadorit italian në Shqipëri, rrallë herë ka ndodhur kjo nga një ambasador italian, por kush arrin të lexojë deklaratën, kërkesa e qartë e tij është që hetimit të mos ngadalësohet, të mos ketë hezitime nëse do të përfshijë njerëz të rëndësishëm. Indikacionet janë të qarta se ka patur shumë presion nga pala italiane.
Do të shohim rezultatet e hetimit. Nuk e paragjykoj personalisht. Besoj se çdo qytetar pret që të mos mbyllet në mënyrë procedurale dhe të mos kërkohen justifikime për të justifikuar njerëzit e pushtetshëm në këtë aferë. Ndërsa hapi tjetër që ka nisur prokuroria për rastin në Sanatorium është në nivelin e ulët të korrupsionit", u shpreh Kola.
Beti Njuma: Sa shpejt reagon prokuroria në raste “Tiresh”...
Vehap Kola: Është rast makabër për nga natyra, por më makabër është korrupsioni që bën të pamundur lirinë dhe rrotacionin politik. Ose të paktën e vështirëson. Siç është pastrimi i parave të drogës dhe trafiqeve me ndërtimet në Tiranë. Ky nuk është një përfundim vetëm i Prokurorisë italiane. Janë përfundime të studimeve të mëhershme, indikacione të partnerëve ndërkombëtarë që kjo po ndodh në Shqipëri. Denoncime të partive politike, të aktivistëve dhe do ti mjaftonte SPAK, nëse është ai institucioni në gjendje të godasë korrupsionin e pushtetarëve të lartë, do të mjaftonin këto indicie që të fillonte hetimin që në verë, që në gusht.
Beti Njuma: Si ka mundësi që ende sot nuk e kemi institucionin e dorëheqjes? Për sa kohë të sqarohet kjo çështje, a duhet të kishim dorëheqje?
Vehap Kola: Besoj se kjo vlen për njerëz që merren vetëm me politikë. Dhe politikanët, në çdo vend të botës, jo vetëm në Shqipëri, nuk kanë fuqi ti rezistojnë presionit të publikut, qoftë edhe një mediaje të dobët ose nën kontroll, nuk do ti rezistonin presionit publik dhe do jepnin dorëheqjen. Një politikan të vetmen pushtet që ka është figura e tij, personaliteti dhe reputacioni. Ndërsa njerëz që luajnë rolin e politikanit në publik dhe luajnë rolin e biznesmenit apo përfaqësuesit të interesave të mafias në industrinë e ndërtimit apo industri të tjera se nuk e dimë në çfarë shkalle janë shtrirë pastrimi i parave, këta njerëz përveçse nuk janë të lirë ta bëjnë diçka të tillë, kanë një mision më shumë se sa karriera e tyre politike. Janë aty për tu pasuruar. Këta nuk janë politikanë. Nuk mund tu kërkohet atyre llogaria si një politikan. Ndaj tyre duhen vetëm institucione të forta.
Lexo edhe:
Përgjimet e antimafias: SPAK do i kërkojë lejet e ndërtimit bashkisë së Tiranës