Aksidenti me alpinistët në malin e Morganës, i riu rrëshqet dhe përplaset me shkëmbin
Plot 60 alipinistë të cilët u ngjitën mëngjesi e së dielës, 7 shkurt 2021, në malin e Morganës në kufi me Greqinë nuk mundën ti shkonin deri në fund aventurës së tyre pasi një pjesëtar I grupit dëmtoi këmbën. Të rinjtë ishin nga Gjirokastra e Libohova.
I riu, 18 vjeçar rrëshqiti dhe u përplas në një shkëmb duke pësuar dëmtime në këmbën e djathtë.
19:00 - Në një lidhje direkte për Ora News, prefekti i Gjirokastrës Odise Kote ka dhënë detaje nga aksidenti me alpinistët në malin e Morganës.
Sipas tij, i plagosur ka mbetur shtetasi Ergys Kaçi, i cili është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Gjirokastrës "Omer Nishani".
Kote shtoi se, gjatë ditës së sotme ka patur disa aksidente me alpinistët në këtë zonë.
Prefekti Odise Kote: Unë jam rrugës duke zbritur nga mali i Morganës për të shkuar drejt Spitalit Rajonal “Omer Nishani”. Sapo kemi zbritur me ambulancë të aksidentuarin, Ergys Kaçi. Ne kemi marrë njoftim që rreth orës 15:30 minuta që një alpinist është aksidentuar në malin e Morganës. Menjëherë, si prefekt i qarkut, kam komunikuar menjëherë me ministrin e brendshëm, me drejtorin e përgjithshëm të Emergjencave Civile kam vënë menjëherë në veprim forcat Shqiponja të Drejtorisë Vendore të Policisë, dy shërbimet zjarrfikëse të bashkisë Dropull dhe Gjirokastër dhe detashmentin e mbrojtes të njësisë civile në Gjirokastër.
Së bashku me ta jemi nisur dhe rreth orës 16:00, 16:05 kemi qenë në këmbët e malit Sotir dhe menjëherë ka nisur krehja e zonës dhe gjetja e të aksidentuarit.
I aksidentuari Ergys Kaçi, diku para 40 minutash, është gjetur. Me barela portative pasi ju e kuptoni në mes të pyllit, me dëborë etj etj e kemi zbritur me vështirësi shumë të mëdha deri në Sotir e tani jemi rrugës me ambulancën për ta çuar në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”. Nga një vështrim i parë duket jashtë rrezikut për jetën.
Dua të informoj se gjatë ditës nuk ka qenë vetëm ky aksident. 70 alpinistë nga Tirana, Fushë Kruja, Laçi, Berati, Gjirokastra të cilët kanë frekuentuar malin e Morganës në pikën turistike të Sotirës. Jam shumë i lumtur që kemi shpëtuar jetë njeriu. Të shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë.
18:43 - Policia e Gjirokastrës ka arritur të lokalizojë grupin e alpinistëve që kishin mbetur të bllokuar prej mëngjesit të sotëm në Malin e Morganës, në kufi me Greqinë.
Burime nga policia shprehet se, aktualisht forcat “Shqiponja” po ndihmojnë alpinistët të zbresin poshtë.
Një i ri, rreth 17 vjeç, mësohet se ka thyer këmbën.
Raportohet se të bllokuarit ishin rreth 20 persona të ndarë në dy grupe.
Ata u bllokuan në nivelin 1200 metra pranë kufirit greko-shqiptar, ndërsa disa prej tyre janë prekur nga hipotermia që shkaktohet nga temperaturat e ulëta.
Të rinjtë janë kryesisht nga Gjirokastra dhe Libohova, të cilët bëjnë shpesh ngjitje në malet e jugut të Shqipërisë.
Në vendngjarje ndodhet edhe prefekti i Gjirokastrës Odise Kote.
Gjirokastër/ Informacion Paraprk
Në sallën e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka ardhur një telefonatë se disa alpinistë ndodhen në malin Morgan, mbi fshatin Sotirë dhe kanë nevojë për ndihmë pasi shtetasi E. K., rreth 17 vjeç është rrëzuar dhe ka dëmtuar këmbën.
Menjëherë pas njoftimit janë nisur për në malin Morgan, forcat Shqiponja të DVP Gjirokastër, shërbimet e Postës së Policisë Dropull dhe Forcat e Ushtrisë për tiu ardhur në ndihmë këtyre shtetasve.
Aktualisht këta shtetas po ndihmohen nga shërbimet e policisë, ku po transportohen me mjetet e policisë drejtë fshatit Sotirë dhe asnjë prej tyre nuk ka rrezik për jetën.