Plagosi me thikë policin në Dibër, arrestohet në Tiranë 39-vjeçari

Një 39-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen me thikë të një efektivi të policisë në Dibër është arrestuar në Tiranë. Në pranga ka rënë A. Sh (M)., banues në Dibër.

"Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri shoqërore,  nga Njësia Speciale FAST ALBANIA, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatin e Policisë nr.4 Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e një personi të shpallur në kërkim,  kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Kryqëzimi". Në kuadër të operacionit, si rezultat i një pune të mirëorganizuar,  në vendin e quajtur "Lagjia Allias" , Tiranë, është bërë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. Sh (M)., 39 vjeç, banues në Dibër".

Ngjarja ka ndodhur në 9 janar 2020, në vendin e quajtur 'Kryqëzimi i Prefekturës',  në qytetin e Peshkopisë.

Pas një konflikti të çastit, 39 vjeçari  ka goditur 5 herë me mjet prerës thikë shtetasin B. Z, 56 vjeç, banues në Dibër (punonjës policie i cili ndodhej jashtë kohës së shërbimit).

Ndaj shtetasit A. Sh(M), Gjykata e Rrethit Dibër, ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg",  për veprën penale "Vrasje me dashje", e mbetur në tentativë.

Materialet shtesë në ngarkim të 39 vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.