Atentati në Vlorë, mjeti ishte vjedhur në Greqi, ndaj viktimës u zbraz një karikatore
Është përcjellë për në banesën e fundit mesditën e së dielës 40-vjeçari Gentian Qarri, i cili mbeti i vrarë të shtunën në Vlorë.
15 persona janë pyetur nga policia për ngjarjen, shumica prej tyre kalimtarë të rastit dhe dëshmitarë okularë, të ngjarjes së rëndë.
Edhe familjarë e të afërm janë marrë në pyetje, për të ndihmuar organet e drejtësisë për zbardhjen e vrasjes.
Dëshmitarët janë shprehur se kanë parë një automjet me të paktën dy persona që kanë qëlluar por që nuk kanë mundur të identifikojnë askënd për shkak se ata ishin të maskuar.
Ndaj Qarrit është qëlluar me të paktën 30 plumba disa prej të cilëve e qëlluan në trup.
40-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital por pa mundur të mbijetojë.
Në qytetin bregdetar ai ishte i punësuar në një biznes për rregullime kondicionerësh, ndërsa pista kryesore e hetimeve është përqëndruar në konfliktet që ai mund të ketë pasur në Itali ku edhe ka vuajtur 11 nga 15 vitet e dënimit, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Personat që e njihnin kanë dëshmuar se ai ka qenë një person i qetë, ndërsa burimet nga policia bëjnë me dije se Qarri është ruajtur prej ditësh nga vrasësit të cilët kishin mësuar mirë rutinën e tij të punës apo jetës së përditshme.
Pas vrasjes autorët që lëviznin me një makinë të vjedhur me targa greke, e kanë djegur atë në rrugën e Pyjores, lagja “24 Maji”.
LEXO EDHE
Terrorizohet Vlora, vritet me breshëri plumbash 40 vjeçari. Ora News siguron foton e viktimës
“O të keqen nëna…” familjarët e Gentian Qarit vendosin kujën në vendin e atentatit në Vlorë