Çdo ditë e më shumë të infektuar me Covid-19: 1130 raste të reja, 13 humbën jetën, 431 në spital

Kurba e infektimeve shënoi pikën kulmore të shtunën me 1 mijë e 130 persona të prekur.

13 pacientë humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit, mes tyre edhe një 28-vjeçare.

“E reja që humbi jetën këtë të shtunë ishte prej disa ditësh e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe ndodhej në intubim. Pak ditë më parë ajo kishte sjellë në jetë një fëmijë dhe më herët kishte shfaqur komplikacione gjatë shtatzënisë.”

Covid-19 po përhapet gjerësisht në çdo qytet të vendit, por Tirana, Fieri dhe Durrësi mbeten vatrat më të nxehta të pandemisë.

Numri i lartë i infektimeve po reflektohet me fluks pacientësh në spitalet covid.

Të shumtë janë familjarët në pritje të një informacioni mbi gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre.

Ata shprehin shqetësimin se nuk arrijnë të komunikojnë me të sëmurin.

“Kam dy ditë dhe nuk kam njëfarë shprese nëse është gjallë apo jo. I futa telefonin tani, por nuk e di. Nuk na shpjegon njeri. Shërbimin ia bëjnë, por nuk e di se në çfarë gjendje është.”

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në spitalet covid ndodhen të shtruar 431pacientë.

“Në katër spitalet covid këtu në kryeqytet, kapacitetet janë drejt ezaurimit. Nga 550 shtretër, të lirë janë rreth 120 prej tyre.”

Në kushtet kur vaksinimi i popullatës është ende larg dhe autoritetet nuk po ndërmarrin asnjë masë shtesë të vetmet mjete mbrojtëse ndaj virusit mbeten mbajtja e maskës, distancës fizike dhe kujdesi ndaj higjienës.