Meta injoron Nanon
“Një ndër politikanët te i cili shikoj pjesën më të madhe të mëkateve, është presidenti i sotëm.”
Por presidenti Ilir Meta publikisht nuk i konsideron këto akuza të ish kryetarit në Partinë Socialiste dhe qeverisë.
Meta:Zero koment për çështje të cilat nuk ekzistojnë. Problem kryesor mbetet sot përballimi i pandemisë dhe mbështetja e gjithë personelit mjekësor dhe shëndetësor në përballimin e një fluksi në rritje të të infektuarve. Problem mjaft serioz mbetet rritja e numrit të viktimave nga pandemia. Problem mjaft kritik mbetet fakti që janë shumë më tepër ata të cilët mjekohen në familje dhe kanë nevojë jo vetëm për protokolle të sakta që duhen ndjekur, por edhe mbështetje për të përballuar mjekimin e tyre si nga ana mjekësore dhe nga ana financiare dhe problem mbetet gjithë angazhimi me prioritet për përballimi ne pandemisë, gjë të cilën e kam theksuar dhe në mesin e muajit dhjetor kur kam kthyer për rishikim qeverisë dhe Kuvendit buxhetin e shtetit për këtë vit, i cili për fat të keq nuk garantonte asnjë lloj mbështetje serioze për sektorin e shëndetit publik dhe për menaxhimi ne pandemisë, por për fat të keq dyfishonte pagesat e buxhetit të shtetit për koncesionet e oligarkëve.
Larg debatit qëndron edhe kur pyetet nëse Fatos Nano është projektuar si njeriu që do ta pasojë në detyrën e Presidentit.
“Nuk kam asnjë koment për zero ngjarje.”
Meta ruan bindjen se 25 prilli do të jetë dita e referendumit të madh kur shqiptarët, ndërsa përjashton çdo mundësi që zgjedhjet të shtyhen nëse situata e Covid rëndohet.
“Nuk ka asnjë shans dhe asnjë skenar për të rishikuar datën e zgjedhjeve, pasi Shqipëria ka pasur një nevojë ulëritëse për zgjedhje prej kohësh.”
Mbajtja larg listave të personave të inkriminuar është debati i ditës në politikën qendrore, ku më së shumti për të garantuar pastërtinë e figurës së kandidatëve është angazhuar Ambasadorja e SHBA.
Presidenti Meta në këtë pikë nuk la pa shënjestruar mazhorancën.
“Se kush i ka promovuar, se kush i merr në mbrojtje kjo dihet. Unë i bëj thirrje të gjithë forcave politike që të distancohen nga personat që kanë pasur probleme me dekriminalizimin. Dua t’ju siguroj që populli shqiptar do të jetë shumë i qartë për t’i ndëshkuar me votën e tij.”
Në Shkodër kreu i shtetit i dha dekoratën e lartë "Nënë Tereza" urdhrit të Maltës që prej 25 vitesh është prezent në vendin tonë, si dhe vlerësoi disa prej figurave të njohura të sportit.