Trump nuk e pranon kërkesën për të dëshmuar në gjyqin e Senatit

Ish-presidenti, Donald Trump, ka refuzuar pjesëmarrjen në gjyqin politik që fillon kundër tij të martën në Senatin amerikan.

Administratorët e procesit kërkuan zyrtarisht që ish-kreu i shtetit të paraqitet për të dëshmuar rreth akuzës se ai personalisht është përgjegjës për revoltën e 6 janarit, ku u vranë 5 persona.

Por avokatët e 74-vjeçarit mendojnë se procesi kundër Trump është jo-kushtetues dhe politik.

Përveçse kundërshtojnë akuzat për nxitjen e revoltës, sipas tyre, pas lënies së detyrës më 20 janar, ai është thjesht një individ ndaj nuk mund të gjykohet për veprimet kur ishte në pushtet.

Që Trump të dënohet për ngjarjet e 6 janarit, duhet që dy e treta e Senatit të votojë kundër tij.

Dënimi do i mohonte atij mundësinë të garonte për një tjetër mandat politik në të ardhmen, si edhe do i shkurtonte përfitimet që i parashikon detyra, siç është pensioni presidencial.

Dy partitë e mëdha politike në Senat aktualisht janë ndarë në mënyrë të barabartë, 50 me 50.

Demokratëve u duhen 17 vota nga radhët e kundërshtarëve, por shumica e republikanëve kanë thënë se nuk e mbështetin gjyqin politik kundër Trump.

Kjo është hera e dytë që ai do i nënshtrohet gjykimit të Senatit, si asnjë president tjetër në historinë e Amerikës.