BE kërkon lirimin e menjëhershëm të opozitarit rus
Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të figurës ruse të opozitës, Alexey Navalny.
Në rrjetet sociale, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkruar: "Unë i bëj thirrje Rusisë që të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare dhe ta lirojë atë menjëherë dhe pa kushte".
Po ashtu edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka theksuar se një vendim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut zbuloi rastin e opozitarit Navalny si arbitrar dhe të paarsyeshëm.
"Dënimi i Alexey Navalny-t bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Rusisë mbi sundimin e ligjit dhe liritë themelore", shkroi Borrell në rrjetet sociale.
Një mesazh të ngjashëm postoi në Twitter edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
"Ne nuk e pranojmë dënimin e tij. Drejtësia nuk duhet të politizohet. Protestuesit kanë të drejtë të demonstrojnë paqësisht dhe të shprehin pikëpamjet e tyre politike", shkroi Michel.
Dje, Gjykata e Qytetit të Moskës dënoi Navalny-n me dy vjet e tetë muaj burg për shkelje të lirimit me kusht.
Navalny nuk pranoi fajësinë dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm. Avokatët e tij thanë se ata do të apelojnë dënimin.
Në vitin 2014, Navalny u dënua për mashtrim dhe përvetësim, por dënimi i tij u pezullua dhe më pas u zëvendësua me gjashtë vjet lirim me kusht. Ai ishte i detyruar të paraqitet në polici dy herë në muaj.
Lideri i opozitës u arrestua në kryeqytetin rus pas kthimit të tij nga Gjermania më 17 janar, ku ai mori trajtim pas një helmimi të pretenduar nga agjentë rusë.