Fundosen dy anije në Kolumbi, zhduken dhjetra persona, mes tyre dhe 7 fëmijë
Nga OraNews Përditësimi i fundit 3 Shkurt 2021, 22:22
Marina kolumbiane ka nisur kërkimet për një numër të madh njerëzish të cilët janë zhdukur pas përmbytjes së dy anijeve në afërsi të qytetit Tumaco.
Deri më tani mendohet se janë zhdukur 14 persona, në mes të të cilëve 7 janë fëmijë. Anijet raportohet se janë fundosur të shtunën, kur po transportonin vendasit nga Tumaco në San Jose del Guayabo.
Ende nuk është mësuar shkaku i aksidentit, por autoritetet kanë thënë se asnjëri prej udhëtarëve nuk kishte veshur jelekë shpëtimi.
Tridhjetë e pesë persona, përfshirë pesë fëmijë, u shpëtuan nga uji, të cilin të mbijetuarit e përshkruan si jashtëzakonisht të trazuar në kohën e aksidentit. Flota detare ka raportuar se anijet mund të kenë qenë duke transportuar më shumë njerëz se sa lejohet.