Sulmi me bombë ndaj krerëve muxhahedinë, dënohet me 20 vjet burg diplomati iranian

Një diplomat iranian që planifikoi vrasjen e krerëve të muxhahedinëve është dënuar me 20 vite burg nga gjykata e Belgjikës. Planin e tij, Asadollah Asadi, e vuri në punë me disa bashkëpunëtorë të cilët u arrestuan tri vite më parë bashkë me të.

Një gjykatë belge dënoi të enjten me 20 vite burg diplomatin iranian, Asadollah Asadi, për planifikimin e një sulmi me bombë ndaj opozitës së vendit.

49-vjeçari u shpall fajtor për ngjarjen e 30 qershorit 2018 kur u bë pjesë e planit për të vrarë krerët muxhahedinë të Rezistencës Iraniane.

Sipas gjykatës, Asadi ishte me mision në Austri kur u siguroi eksplozivët tre personave të tjerë me dyshtetësi iraniane dhe belge, të cilët u dënuan po ashtu me 15 deri 18 vite burg.

"Është një vendim ekzemplar, i gjatë, i hollësishëm, që tregoi se diplomati nuk mund të bëjë ç'të dojë, ka imunitet për detyrën zyrtare, por jo kur kryen veprime kriminale dhe akte terroriste."

"Ishte vendim historik dhe konfirmim i pastër kundër terrorizmit shtetëror nga regjimi iranian, i cili për 40 vite merret në terrorizëm, dhe tani, për herë të parë, një diplomat i tij kapet në faj."

Në tubimin e 2018-ës merrnin pjesë zyrtarët e lartë të opozitës iraniane jashtë vendit, si edhe mbëshetës të huaj, si ish-avokati i presidentit amerikan.

Po atë ditë policia e zbuloi eksplozivin brenda një makine që drejtohej nga çifti i të akuzuarve.

Ndonëse qeveria franceze ia drejtoi përgjegjësinë shërbimeve informative iraniane, republika islamike e ka mohuar përfshirjen.

Opozita muxhahedine konsiderohet organizatë terroriste nga qeveria e Teheranit.