"Rama s'mund ta flakë 5 qershorin", Michael Gahler: Nuk shkohet në zgjedhje me një konfrontim të tillë, duhet konsensus

Vetëm pak ditë pas qëndrimit kritik ndaj kryeministrit Rama ku i bëri thirrje të mos kritikojë BE-në por të plotësojë kushtet për anëtarësim, koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler, në një intervistë ekskluzive për "Tempora" në Rtv Ora i bëri thirrje mazhorancës të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit.

Sipas tij, është e pakonceptueshme të shkohet drejt 25 prillit me një polarizim të tillë politik.

Sipas tij, më e pakta që palët mund të bëjnë, është të gjejnë konsensusin për procedurën.

Michael Gahler: Shpresoj që do të gjendet konsensus dhe besim. Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku kemi një polarizim të tillë, diçka të tillë e gjejmë dhe në vendet fqinje dhe ato lindore, mund të ketë konfrontime të forta. Por këto konfrontime nuk e çojnë vendin përpara, sidmos në çështje kaq të rëndësishme si rruga drejt hapjes së negociatave me BE. Kemi mungesë besimi mes partive. Nuk jam i lumtur që ata e kanë bojkotuar parlamentin apo nuk jam i lumtur me atë që po ndodh në Gjeorgji ku edhe atje po bojkotohet parlamenti, është diçka që duhet kritikuar ashpër. Është detyra e tyre për të qenë atje për të kritikuar.

Duhet të krijohet besim mes partive për zgjedhje të tjera. Populli duhet të jetë në qendër dhe jo dikush që aksidentalisht është në fuqi në një pozicion të caktuar për një kohë të përkohshme. Në një demokraci duhet të kemi një qasje ku populli duhet të jetë në qendër. Zgjedhjet e ardhshme duhet të kanalizohen në një mënyrë të atillë që konsensusi të paktën për procedurën duhet të krijohet. Të imagjinosh që do të shkojmë te zgjedhjet e ardhshme në prill me një konfrontim kaq të ashpër nuk ndikon fare për parimin e shtetit. Kjo i drejtohet të gjithëve, sigurisht dhe qeverisë sepse ata janë duke udhëhequr. Duhet të respektojnë marrëveshjen.

Michael Gahler shpreson shumë që ta ketë keqkuptuar Ramën lidhur me deklaratën se 5 qershori nuk ka pikë rëndësie për të.

Michael Gahler: Surprizohem që thotë se marrëveshja e 5 qershorit nuk ka asnjë rëndësi për të, unë nuk e besoj. Nëse ka një marrëveshje të tillë në një çështje kaq delikate, diçka që ishte shumë e rëndësishme për Parlamentin Europian, nuk mund ta flakësh tutje. Ndoshta e kam keqkuptuar atë që më thatë.

https://www.youtube.com/watch?v=Jj3IqSqMX9U

LEXO EDHE

Koordinatori për Zgjerimin, Michael Gahler: Rama të mos kritikojë BE-në, por të plotësojë kushtet për anëtarësim