Minatori kandidon për parlament, Debreshi: Boll me premtime! Marrin pension qesharak

Elton Debreshi është kandidati i parë për deputet nga radhët e minatorëve, ndërkohë që në një intervistë për RTV Ora ka treguar arsyet se përse mori këtë vendim.

Debreshi ka treguar që ai ka mbështetjen e shumë qytetarëve dhe minatorëve për kandidaturës, sepse sipas tij në Bulqizë nuk është mbajtur asnjë premtim në 30 vite.

Debreshi: Nuk ishte mendimi im, por ishte mendimi i shumë qytetarëve, minatorëve dhe ish-minatorëve. Na e kanë dhënë këtë ide që të hidhja kandidaturën, sepse është një bllokadë shumë e madhe e politikës që nuk po e çan kokën fare për minatorët dhe punëtorët në të gjithë Shqipërinë. Në Bulqizë kemi 30 vite me premtime dhe nuk po shohim gjë me sy. Boll premtime ka marrë prindi im, gjyshi im dhe sot vazhdoj të marr premtime edhe unë.

-Ti je brezi i tretë i minatorëve. Ke pasur babain dhe gjyshin...

Po dhe fatmirësisht të dy janë gjallë. Janë me një pension qesharak, të pushon gjithë jetën në minierë. Jo vetëm prindi im, por një pjesë e mirë e pensionistëve në Bulqizë e dinë shumë mirë  që një pjesë e minatorëve e kapin me vështirësi të madhe pensionin, sepse vetë puna në minierë është shumë e dëmshme për trupin e njeriut. Nuk kanë jetë të gjatë minatorët.

Intervista në studio për gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Tea Islamaj.