Gjykata Supreme i thotë "Jo", Albin Kurti jashtë zgjedhjeve të 14 Shkurtit
Ishte shansi i fundit për liderin e Vetëvendosjes, por edhe Gjykata Supreme le në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të mos certifikuar kandidatët për deputetë që kanë pasur probleme me ligjin.
Albin Kurti nuk do të mund të garojë për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit.
Ndërkohë, Supremja i ka dhënë dritën jeshile dy anëtarëve të tjerë të Vetëvendosjes, Liburn Aliu dhe Labinotë Demi, të cilët do të mund të garojnë në zgjedhje.
Vendimi i plotë i Gjykatës Supreme:
Prishtinë, 29 janar 2021 – Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.
1. Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së.
Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e LVV-së, për Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është konstatuar se PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar. Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021.
2. Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.15/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.240-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve
për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në që kandidatin për deputet Shemsedin Dreshaj, ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.
Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e AAK-së, duke vërtetuar pjesën tjetër të vendimit të PZAP-së.
Edhe në rastin e pranimit të pjesshëm të ankesës së AAK-së, bëhet fjalë për vlerësimin e gabuar të afatit 3 vjeçar, ndërkohë që duhet referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç, e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021.
3. Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), është refuzuar si e pathemeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.
4. Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS), është refuzuar në tërësi e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme.
5. Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nisma, është refuzuar si e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme.
AA.nr.4-2021+ by Ora News Lajme
Albin Kurti është i dënuar me burgim me kusht, gjë që llogaritet se vendimi gjyqësor nuk ka prodhur pasojë juridike. Por sipas PZAP, edhe në këtë rast, sipas nenit 29 pika 1, shkronja q, të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, një personi që është i dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë, nuk i lejohet kandidimi për deputet.
“Lidhur me pretendimet se kandidatët si në pikën I të dispozitivit të këtij vendimi, nuk u është shqiptuar dënim që krijon pasoja sipas dispozitave të Kodit Penal, Paneli vlerëson se dispozita nga neni 29 par.1 pika 1) të LZP-së, nuk kërkon që të ketë pasoë juridike në raport me llojin e sanksionit penal. Në këtë kontekst edhe rrethanat tjera të nenit 29 të LZP-së, mundësojnë kufizimin e certifikimit madje jo vetëm kur kandidati ka një vendim penal të formës së prerë, mbi dënimimin e tij, por edhe kur ekziston nën akuzë nga tribunali, siç është pka n), të nenit 29 të LZP-së”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Në janar të 2018, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale, atë "të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm" dhe "pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare", veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Albin Kurti u dënua me 1 vit e 3 muaj burgim për "përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm", ndërsa për veprën penale të "pengimit të personit zyrtar" është dënuar me gjashtë muaj burgim. Për këto akuza, ai u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.
/a.r,OraNews