Vendimi për Kurtin, Hoti: Dua të jem në garë me persona që s'kanë probleme me ligjin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila la jashtë zgjedhjeve të 14 Shkurtit kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Gjatë një konference për shtyp, Hoti u shpreh se personat që kanë probleme me ligjin nuk duhet të mbanin poste publike as më herët.

“Unë dëshiroj të jem në garë me njerëz që nuk kanë probleme me ligjin, kushdo që i plotëson këto kushte elementare të garës unë pres që të ballafaqohem me ta për politikat tona në të gjitha fushat. Për ata që kanë probleme me ligjin nuk është dashur që të mbajnë poste publike. Kryeministri përpara meje nuk ka pasur të drejtë të jetë as deputet e as kryeministër”, tha Hoti.

Në vendimin e Supremes thuhet se kandidatët për deputetë, Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, duhet të përfshihen në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së.

Subjektet politike kanë dërguar ankesa në Supreme në lidhje me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të mos certifikuar kandidatët për deputetë që kanë pasur probleme me ligjin.

Lexo edhe:

Gjykata Supreme i thotë “Jo”, Albin Kurti jashtë zgjedhjeve të 14 Shkurtit