Ish-kreu i gjykatës kërkon korrigjimin e vendimit të KQZ: Supremja të reflektojë për Kurtin

Gjykatës Supreme në Kosovë i kanë mbetur pak orë para se të shprehet për ankesën e ish-kryeministrit, Albin Kurti, për përjashtimin e tij nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kurti ishte mes dhjetëra kandidatëve për deputetë të cilët u eliminuan nga listat e tyre partiake, me arsyen se rezultojnë të dënuar penalisht në tri vitet e fundit.

Ish-kryetari i Supremes, Fejzullah Hasani, thotë se vendimi i KQZ-së duhet korrigjuar.

“Gjykata Supreme mund të thotë meqenëse kodi penal i vitit 2012 nuk i njeh pasojat juridike të dënimit me gjobë të dënimit me kusht, vërejtjet gjyqësore dhe lirimin nga dënimi këto të gjitha duhet të kthehen në listë.”

KQZ-ja u bazua te aktvendimi i muajit të kaluar i Gjykatës Kushtetuese, për mos certifikimin e Kurtit dhe të tjerëve, por Hasani mendon se ai nuk mund të shihet si normë kushtetuese.

“Nuk jam pajtuar me kolegët që vijnë nga Gjykata Kushtetuese të cilët thonë, po vendimi është anti-kushtetues, vendimi është i paligjshëm, por ai duhet të zbatohet. Ngase nuk mund të thuash se një vendim i Gjykatës Kushtetuese mund të krijohet në normë nëse është në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk shkon, nuk shkon të thuash edhe është anti-kushtetues dhe krijon normë.”

Sipas Hasanit, Kushtetuesja duhet të ketë një fushë veprimi më të vogël, edhe pse ka pak gjasa që ankesat e partive politike, të shkojnë përkundër asaj.

“Është për arsye se kush ka të drejtë të certifikohet ose jo është e zyrës për certifikim, e KQZ-së, pastaj ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme, është e pastër ligjore. Nuk mund të shprehet Gjykata Kushtetuese se kush ka drejtë të kandidojë ose jo, sepse janë procedura ligjore. Është çështje e pastër ligjore.”

Në mbledhjen e 22 janarit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të mos certifikuar disa kandidatët nga Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa parti të pakicave.

Për pasojë, Nisma Socialdemokrate nuk u certifikua as si parti për zgjedhjet e parakohshme.