Tetë viktima nga Covid-19 në 24 orët e fundit, apeli i fortë i autoriteteve në Kosovë

Tetë persona kanë humbur betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë.

Shifrat i publikon Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, që në raportin e kësaj të mërkire, raporton edhe për 301 raste të reja nga kryerja e 2325 testimeve.

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 127 raste, Ferizaj 19 raste, Podujevë 18 raste, Gjakovë 16 raste, Suharekë 16 raste, Pejë 15 raste, Malishevë 14 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Lipjan 13 raste, Prizren 11 raste, Dragash 5 raste, Kaçanik 5 raste, Klinë 5 raste, Obiliq 5 raste, Rahovec 3 raste, Vushtrri 3 raste, Drenas 2 raste, Gjilan 2 raste, Mitrovicë 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Graçanicë, Istog, Junik dhe Shtërpcë.

Rastet e vdekjes janë nga Deçani (91-vjeç), Gjakova (75-vjeç), Gjilani (85-vjeç), Malisheva (82-vjeç), Obiliqi (70-vjeç), Prishtina (61-vjeç), Skenderaj (74-vjeç) dhe Vushtrria (54-vjeç).

Me këto vdekje, shifra e të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 1479.

APELI I AUTORITETEVE:

Të nderuar qytetarë,

Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale epidemiologjike me COVID -19, këtë muaj është raportuar numër më i madh të rasteve pozitive dhe vdekjeve. Mjekët të stërngakuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinzar e shkatrrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.

Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Qytetarë të nderuar!

Ju lutemi për kujdes të shtuar! Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit: Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike! Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!