Atentati me tritol makinës së biznesmenit, rrëzohet dënimi për Astrit Sinanaj
Gjykata e Apelit Durrës, ka vendosur të rrëzojë dënimin me 25 vite burgim për Astrit Sinanaj, i cili u dënua nga shkalla e parë për atentatin me 1 kg tritol kundër biznesmenit Fuad Verzivolli.
Vendimi për rrëzimin e dënimit dhe kalimin e dosjes për rigjykim është marrë ditën e sotme, (27 janar 2021), informon Ora News.
Çështja është kthyer për gjykim, duke përdorur nenin 428/ç të Kodit të Procedurës Penale, pasi gjykata e Apelit ka konstatuar mangësi proçeduriale në mungesën e arsyetimit të vendimit.
Së bashku me Sinanaj, do rigjykohet dhe miku i tij Thanas Thoma, i dënuar me 10 muaj burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.
Astrit Sinanaj, u dënua në muajin korrik 2020, nga gjykata e Elbasanit, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e prokurorit Xhelian Seferaj, duke deklaruar fajtor dhe dënuar me 25 vite burgim Astrit Sinanaj, të akuzuar për 4 vepra penale të “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Mbajtjes pa lejë të armëve shpërthyese”, “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Për Sinanaj, prokuroria kishte kërkuar dënimin me 30 vite burgim.
Ndërsa personi tjetër i pandehur në këtë çështje për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, Thanas Thoma, një ish-punonjës kazinoje në Elbasan, është dënuar me 10 muaj burgim. Për Thomën, prokuroria kishte kërkuar në pretencën e saj, dënimin me 1.6 vite burgim.
Sipas dosjes së prokurorisë Sinanaj kishte tentuar të vriste me tritol biznesmenin Fuad Verzivollin. Verzivolli, objektivi i këtij atentati gjatë dëshmisë në gjykatë deklaroi se sulmi me tritol ndaj tij ishte financuar nga Florenc Çapja, pasi ai nuk ka asnjë njohje me Astrit Sinanaj, informon Ora News.
Sinanaj kishte shumë pak kohë që ishte liruar nga burgu, pasi rezulton i dënuar me 8 muaj burg për “Mbajtjen pa lejë të armëve”. Tashmë Sinanaj dhe miku i tij Thanas Thoma, do i nënshtrohen sërisht procesit gjyqësor në Elbasan.
Si i shpëtoi atentatit
Më 6 maj 2017 në Elbasan, iu vendos 1 kg tritol C4 poshtë makinës së biznesmenit, Fuad Verzivolli.
Biznesmeni arriti ti shpëtonte atentatit pasi tritoli u pikas nga një qytetar.