Banesa të tëra nën ujë, Erzeni nis të tërhiqet në Katundin e Ri
Situata e shkaktuar nga përmbytjet në zonën e Katundit të Ri në Durrës vijon të jetë emergjente.
Banesa të tëra janë përmbytur dhe uji ka marrë para katet e përdhese, duke detyruar banorët të pranojnë të strehohen gjetkë.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vizitoi zonën e përmbytur i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
Peleshi tha se lumi Erzen ka nisur tërheqjen dhe se situata ka filluar të përmirësohet.
“Le të themi e kemi kaluar pikun, situata sot është duke u përmirësuar, reshjet kanë mbaruar, uji po tërhiqet por ka ende familje nën ujë. Unë dua të falenderoj forcat tona të ushtrisë që kanë qenë në gatishmëri që ditën e parë, kanë evakuuar disa familje që janë strehuar në Konvalishencë, një pjesë tjetër te familjarët e tyre, një pjesë që nuk kanë pranuar të dalin, por që nuk kanë qenë në rrezik sepse kur ka rrezik pranon apo nuk pranon familja evakuimi është i detyruar.
Do vazhdojmë të jemi këtu në gatishmëri ndonëse pritet që dy ditët në vazhdim pritet të ketë mot të mirë. Jemi të pajisur, kemi mjete kalueshmërie të lartë, kemi mjete të vogla lundruese, gjeneratorë dhe gjithçka tjetër që nevojitet, forca njerëzore, forcat e ushtrisë”, ka thënë Peleshi.
Forcat e Armatosura kanë evakuuar disa familje në Katundin e Ri, si dhe kanë siguruar ndihma ushqimore për banorët e prekur nga përmbytjet. Në Shkodër vijon prej 3 javësh transporti i banorëve të Obotit, ndërkohë që ditën e djeshme janë evakuuar edhe disa krerë bagëti