Detaje të reja/ Agjencitë e udhëtimit në Tiranë dërguan 500 persona në Gjermani, dyshohet se falsifikuan edhe kontrata punësimi

Ora News zbardh detaje të reja lidhur me  arrestimin nga Krimi Ekonomik Tiranë të 4 pronarëve të agjensive të udhëtimit.

Burimet bëjnë me dije se janë mbi 500 persona që janë dërguar në Gjermani përmes këtyre agjencive.

Të katërt akuzohen se kanë falsifikuar jo vetëm testin e përgjigjes së Covidit, por edhe kontratat e punësimit.

Fillimisht ata i kalonin këta shtetas nga Shqipëria me autobusë për në Hungari dhe më pas në Gjermani.

Hetimi për ta ka gati një muaj që ka nisur, ndërsa kjo veprimtari dyshohet të ketë filluar që nga muaji shtator.

Pak ditë më parë në Gjermani është kapur edhe një furgon me shtetas shqiptarë që ishin çuar nga këto agjenci.

Operacioni policor i koduar “Shtegtimi” çoi në arrestimin e  shtetasve Ergys Vejseli, 34 vjeç, Gentiana Konini, 44 vjeçe, Klotida Çela, 32 vjeçe dhe Petrit Cara, 37 vjeç.

Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi“, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.